Basha shtrëngon duart me Rudina Hajdarin tek varri i Azemit pas përjashtimit nga PD (FOTO LAJM)

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka shtrënguar duart me vajzën e Azem Hajdarit në ceremoninë që u zhvillua te memoriali pranë ish-selisë së blu.

PD mori vendimin për të përjashtuar nga partia vajzën e Hajdarit pasi ajo nuk iu bind urdhrit për të djegur mandatin, sië vendosi në grup partia.

Tek varri i Azem Hajdari homazhe ka kryer edhe nën kryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare. E para që ka vendosur lule tek varri i Azem Hajdarit ka qenë e bija e tij, deputetja Rudina Hajdari.

Ndërsa në orën 09:15 Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule tek memoriali i Azem Hajdarit pranë ish-selisë së PD. Meta ka deklaruar se rruga që Azem Hajdari e vendosi Shqipërinë, për zgjedhje pluraliste të lira dhe të ndershme duhet mbrojtur me çdo kusht.

Në 12 shtator të vitit 1998, u vra në Tiranë deputeti 35-vjeçar Azem Hajdari, i cili njihet si heroi i Demokracisë. Hajdari, ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, po ashtu njihet si themeluesi i pluralizmit politik në vendin tonë.

Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale.

Për sa i përket vrasjes së tij që konsiderohet edhe si 'Vrasja e Shekullit' janë hamendësuar motive nga më të ndryshëm; politike, hakmarrje, rivalitete, grindje etj. Ndërkohë edhe pse kanë kaluar 21 vite kjo ngjarje që tronditi Shqipërinë është ende e mbuluar me mister.
Shtuar më 12/09/2019, ora 10:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori