Basha: Rama-Tahiri po ushtrojnë presion mafioz ndaj drejtësisë
Kreu i PD ka reaguar me anë të një deklarate për mediat pas akuzave dhe sulmeve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, lidhur me pezullimin e Haki Çakos. Basha thotë se Rama dhe Tahiri po bëjnë presion mafioz ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga frika se zbulohet përfshirja e tyre në skandalin e përgjimeve të policisë.

"Presioni mafioz që Edi Rama dhe Saimir Tahiri po ushtrojnë prej dy ditësh ndaj drejtësisë, zbulon para çdo kujt me dy pare mend se kush janë urdhëruesit e megaskandalit të përgjimit.

Fillimisht Tahiri e pastaj Rama vazhduan sërish sot si njerëz të kapur në krim të sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarin që dje e lartësonin si njeriu i denjë i drejtësisë kur liroi babain e Tahirit.

Asnjë ditë të vetme nuk e kemi parë Ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin te perdorin këtë gjuhe të ashpër me krimin. Asnjë ditë të vetme në këto 3 vjet nuk e kemi degjuar as Ramen e as Tahirin ti quajnë vrasës me pagese Shullazin, Habilajt apo Balilin.

Tani jane hedhur perpjete sikur i ka pickuar gjarpri. Jane hedhur përpjetë jo per drejtesi, por vetëm për të mbrojtur tajaren e tyre qe po bie me yrysh ne llucen e megaskandalit te pergjimeve.

Ketij krimi shtetëror Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë shtuar ndërkaq edhe krimin kushtetues të shantazhimit të drejtësisë.

Çdo shqiptar e ka kuptuar tashmë. Janë në panik nga ajo që mund të zbulojë hetimi. Janë te tmerruar se drejtësia do të zbardhë rolin dhe pergjegjesit e tyre në megaskandalin e përgjimit.

Prandaj po kërcënojnë si asnjëherë më parë. Po i quajnë gjyqtarët vrasës me pagesë e prokurorët e keqja e vendit. I janë vërsulur KLD dhe po përdorin gjuhë talebanësh kundër çdokujt që mund t’u nxjerrë në shesh të palarat.

Kane nisur bandat me shuka eurosh e me pisqolla ne brez për të shantazhuar gjykatesit e per te sprapsur hetimin. Kërcënimin mafioz e shohin si të vetmen rrugë për t’i shpëtuar drejtësisë.

Prokuroret dhe gjyqtaret qe po hetojne kete megaafere duhet ta dine se kane ne dore fatin e nje demokracie te tere. Se stepja apo sprapsja nga presioni është muzgu i demokracise dhe agimi i tiranise se shtetit mafioz.

Ata kane mbështetjen e çdo shqiptari te ndershëm dhe duhet ta çojne deri ne fund këtë hetim, te bejne transparence, te vendosin ligjin.

Largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit nga detyra është parakusht për zbardhjen e plotë dhe te pandikuar të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm e të cenimit të sigurisë kombëtare. Çdo orë në detyrë e tij është pengim i hetimit, është pengim i drejtësisë, është një turp i madh për vendin". /albeu.com/

Shtuar më 09/06/2016, ora 14:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori