Basha: Rama shqetësohet për pasurimin dhe famën me ekspozita e promovime libri
Në aktivitetin e Mirditës, Lulzim Basha u ndal tek përplasja e policisë së Lezhës dhe Rrëshenit për 4.2 tonët e drogës, të kapura në ish–pularinë e qytetit.

Kjo ngjarje për Lulzim Bashën është dëshmia e kthimit të shtetit në një bandë, e cila përplaset mes veti për pazare droge, ndërsa forcën e ligjit e tregon duke dhunuar të pamundurin, të papunin, të varfërin.

“U rrethua ish-pularia sepse ishte sinjalizuar prani e madhe e drogës. Çfarë ndodhi?! Policia e Rrëshenit u tërhoq, iku fare nga skena, Policia e Lezhës nuk pranonte të ndërhynte.

A nuk janë këta policët që i marrin shpirtin qytetarit se nuk ke vënë rripin e sigurisë?! A nuk janë këta që Saimir Tahiri i çon për të marrë fermerin, fshatarin, qytetarin që vë pesë tjegulla në çatinë e vet dhe i rras brenda, i terrorizon, apo për një faturë tatimore, apo për çështje të energjisë dhe kur shkojnë te pularia për të kap drogën, sillen si pulat vetë”.

Në mbi 3 vjet qeverisje, tha kreu i demokratëve, Edi Rama ka treguar se i vetmi shqetësim i tij është pasurimi i tij dhe klientëve të pushtetit dhe fama personale me ekspozita dhe promovime libri.

“Sot në Shqipëri kemi një qeverisje e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vet dhe vetëm për pushtetin e vet.

Sot në Shqipëri kemi një regjim i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vet. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit.

Për paratë dhe pushtetin e vet, Edi Rama e ka shndërruar buxhetin e shtetit në pasurinë e tij private me të cilën pasurohet ai dhe një grusht njerëzish”. /albeu.com/

Shtuar më 14/11/2016, ora 13:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori