Nga xhihadistët islamikë tek terrorizimi shtetëror rus dhe iranian, sfidat e mëdha të këtij viti në fushën e anti-terrorit

Nga Colin P. Clarke “Eurasia Riview”

Përktheu Alket Goce-Albeu.com 

Tipari më përcaktues i terrorizmit ndërkombëtar për vitin që sapo ka hyrë do të jetë  diversiteti i tij, i reflektuar tek një gamë e gjerë ideologjish dhe ankesash që motivojnë organizimin e komploteve dhe sulmeve. Shteti Islamik, kërcënimi më i rëndësishëm terrorist që nga fushata globale kundër terrorizmit për shkatërrimin e Al-Kaedës në vitet e para pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, është dobësuar në Irak dhe Siri, duke humbur dy nga udhëheqësit e tij vetëm gjatë vitit 2022.

Jashtë Levantit, degët e ISIS mbeten të fuqishme, sidomos në rajonin Sahel në Afrikë dhe në Azinë Jugore, ku ISIS në Provincën Khorasan po zhvillon një kryengritje kokëfortë kundër talebanëve. Kjo degë ka ndërmarrë sulme të profilit të lartë kundër interesave ruse dhe kineze në Afganistan.

Por sukseset perëndimore kundër terrorizmit mund të mos jenë të qëndrueshme pa një angazhim të fortë për të vazhduar punën me partnerët në terren, që të sigurohet mos-ri ndërtimi i këtyre grupeve terroriste. Pa presionin e vazhdueshëm të SHBA-së dhe aleatëve, ka të ngjarë që Shteti Islamik, Al-Kaeda dhe degët e tyre përkatëse dhe grupet ekskluzive të mund të rindërtojnë me sukses rrjetet e tyre në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të koalicionit kanë bërë një punë mbresëlënëse në shkatërrimin e kalifatit fizik në Lindjen e Mesme, Afrika Sub-Sahariane është tani qendra e gravitetit e terrorizmin xhihadist. Në Afrikën Perëndimore, Jama’at Nasr Al-Islam Wal Muslim e lidhur me Al-Kaedën dhe Provinca e Afrikës Perëndimore të Shtetit Islamik po konkurrojnë për burime dhe rekrutë dhe po lënë pas shkatërrim dhe vdekje.

Duke pasur parasysh kufijtë porozë, destabilitetin politike (përfshirë disa grushte shteti) dhe një mori ankesash socio-ekonomike, ky rajon pritet të mbetet një vatër e nxehtë edhe për të ardhmen e parashikueshme.

Ndërkohë siç sugjeruan kohët e fundit ekspertët e terrorizmit Bruce Hoffman dhe Jacob Ware në një epokë post-Al Zawahiri, Al-Kaeda ka të ngjarë të ri-përqendrohet në shënjestrimin e ambasadave dhe konsullatave, destinacioneve turistike dhe sektorin e aviacionit komercial.

Një nga tendencat e fundit që tërheq vëmendjen është koncepti i “ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm post-organizativ” (POVET), të cilin Bruce Hoffman dhe unë e përmendëm në një artikull në korrik 2020 mbi terrorizmin e brendshëm në Shtetet e Bashkuara, ku e vumë theksin tek “mungesa në rritje e rëndësisë që ka struktura organizative”.

Kjo tendencë ka vazhduar. Në majin e vitit 2022, një sulm terrorist me motive racore nga Payton Gendron në një dyqan ushqimesh në një zone të banuar kryesisht nga afro-amerikanët në Buffalo, New York shkaktoi 10 të vdekur. Gendron ishte pjesërisht i ndikuar nga teoria e Zëvendësimit të Madh.

Ai kishte kopjuar dhe shpërndarë pjesë të tëra të manifestit të Brenton Tarrant, supremacisti i bardhë përgjegjës për masakrën e Christchurch në Zelandën e Re në vitin 2019. Ndërsa të dy këta individë, si dhe ata që janë përgjegjës për sulmet në El Paso, Texas dhe Pittsburgh mund të jenë të klasifikuar si aktorë të vetmuar, ishin produkt i një ekosistemi më të gjerë të ekstremit të djathtë.

Në diskutimet me zyrtarët e sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, shqetësimi kryesor ka të bëjë me potencialin për një tjetër sulm terrorist të brendshëm të stilit të Oklahoma City nga një ekstremist anti-qeveritar si Timothy McVeigh. Terrorizmi post-organizativ paraqet kërcënime të reja për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës.

Ai nuk fshihet pas ndonjë grupimi, nuk ka një seli fizike që mund të mbahet nën mbikëqyrje dhe asnjë organizatë që mund të infiltrohet nga agjentët sekretë. Për këtë arsye ekziston një mundësi më e vogël e rrjedhjes të informacionit, në mënyrë që të zbulohet në kohë detajet e komplotit.

Kjo është plotësisht në përputhje me konceptin e rezistencës pa udhëheqës, i krijuar për të izoluar udhëheqjen e rrjeteve terroriste nga identifikimi dhe arrestimi. Megjithatë, terroristëve post-organizativë u mungojnë rrjetet logjistike dhe mbështetëse të grupeve terroriste tradicionale, dhe ata janë më të kufizuar në sasinë e dëmit që mund të shkaktojnë.

Këto lloj rrjetesh janë më pak të afta për të kontrolluar burimet dhe të paafta për të kryer rrethime të zgjatura të fushatave të qëndrueshme të dhunës. Gjithsesi, duke qenë se synimi i terrorizmit është kryesisht psikologjik, edhe një aktor i vetëm me qasje tek armët e sofistikuara mund të shkaktojë një masakër të madhe.

Në Shtetet e Bashkuara, ku individët kanë qasje tek armët automatike, ky kërcënim rritet në mënyrë eksponenciale. Me rritjen e terrorizmit të ekstremit të djathtë, ne duhet të presim më shumë komplote dhe sulme nga ekstremistët e dhunshëm të motivuar racialisht dhe etnikisht, përfshirë supremacistët e bardhë dhe neo-nazistët, si dhe ekstremistët e dhunshëm anti-qeveri dhe anti-autoritet.

Në fillim të dhjetorit 2022, policia gjermane dhe shërbimet e sigurisë kryen bastisje në mbarë vendin, për të parandaluar një komplot të drejtuar nga konspiracioni i ekstremistëve të djathtë për të rrëzuar qeverinë. Komploti QAnon ka vazhduar të zgjerohet dhe hedhë rrënjë në vende si Gjermania, Japonia dhe gjetkë.

Por brenda ombrellës më të gjerë të ekstremit të djathtë, ekzistojnë një sërë ideologjish që motivojnë ekstremizmin e dhunshëm, përfshirë “Incels”, një nën-grupim mizogjinësh të dhunshëm, por dhe neo-luditë apo “teknofobët”, të cilët kanë synuar gjithnjë e më shumë kullat celulare të rrjetit 5G dhe infrastruktura të tjera kritike.

Eko-fashistët kanë krijuar gjithashtu një vend të veçantë midis elementëve të së djathtës ekstreme. Por vitet e fundit ka një rikthim të terrorizmit të sponsorizuar nga shteti. Mbështetja e një rrjeti global terroristësh, përbën gurthemelin e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Iranit.

Lëvizja Perandorake Ruse, një grup terrorist i së djathtës ekstreme me lidhje me Kremlinin, është etiketuar zyrtarisht si i tillë nga Shtetet e Bashkuara. Forcat mercenare ruse, përfshirë Grupin Vagner dhe Task-Force Rusich, një grupim paraushtarak neo-nazist, janë shumë aktivë në Ukrainë.

Moska mund të kërkojë të nxisë sulme terroriste në vendet evropiane si hakmarrje për atë që presidenti rus Vladimir Putin e ka përshkruar si terrorizëm të sponsorizuar nga NATO, duke pasur parasysh mbështetjen e aleancës për Ukrainën. Një fushatë me letra-bombë shënjestroi ambasadat e Ukrainës në Evropë, si dhe ambasadën e SHBA në Madrid dhe disa godina dhe agjenci të tjera në Spanjë.

Ndërsa dyshohet për rolin e Rusisë, hetimet janë ende në vazhdim. Ndërsa vijon lufta në Ukrainë, në Perëndim është rritur ndjeshëm frika nga terrorizmi rus. Teknologjitë në zhvillim u japin terroristëve dhe ekstremistët e dhunshëm një mori opsionesh, që terroristët e dikurshëm nuk i kishin.

Dronët, armët e prodhuara në printerat 3-D, monedhat virtuale dhe kriptimi u ofrojnë aktorëve të vetëm aftësi shumë të sofistikuara. Një prirje që ka të ngjarë të vazhdojë është manifesti në internet, që shpesh shoqëron një sulm të profilit të lartë të së djathtës ekstreme. Këto manifeste shërbejnë jo vetëm për të radikalizuar ekstremistët e mundshëm, por ofrojnë përshkrime të hollësishme të përgatitjes së sulmit dhe mirëmbajtjes së armëve.

Për analistët e terrorizmit dhe anti-terrorizmit, 2023-shi do të jetë ndër vitet më të paparashikueshme në kujtesën e fundit. Kjo për shkak të natyrës së fragmentuar të kërcënimit, por edhe si rezultat i strategjisë anti-terror të Perëndimit që synoi kryesisht komandën dhe territorin e Shtetit Islamik. Sot peizazhi i kërcënimit është shumë më i paqartë, gjë që e bën të vështirë luftën ndaj këtij fenomeni.

Marrë me shkurtime

Shënim:Colin P.Clarke, anëtar i Programit të Sigurisë Kombëtare në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme, SHBA.

/Albeu.com/