Propozimet për paqe në Ukrainë: Cilat janë shanset?

Nga David Brennan “Newsweek

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Tani që po mbyllet muaji i 11-të, duket se ka pak shpresë që të përfundojë së shpejti pushtimi rus i Ukrainës. Negociatat e paqes nisën brenda disa ditësh pas pushtimit të 24 shkurtit 2022, por u minuan që në fillim nga kërkesat e ndryshme të Moskës dhe Kievit, spiunazhi dhe zhvillimet në fushën e betejën.

Në prill të gjitha bisedimet kishin dështuar, teksa Kievi ishte gjithnjë e më i indinjuar nga provat e mizorive ruse në pjesë të Ukrainës së pushtuar. Si Kievi po ashtu edhe Moska e pranojnë se një zgjidhje e negociuar ka të ngjarë të jetë e nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit.

Por që të dyja palët duket se po jetojnë në realitete të ndryshme dhe kontradiktore. Ukraina po kërkon tërheqjen e plotë të të gjitha trupave ruse nga territori ukrainas sipas kufijve të saj të vitit 1991, dëmshpërblimet për shkatërrimet e luftës, ndjekje penale të rusëve përgjegjës për krimet e luftës dhe anëtarësim në NATO.

Nga ana tjetër Rusia po kërkon njohjen ndërkombëtare të aneksimit të pretenduar të 4 rajoneve ukrainase pjesërisht të pushtuara, teksa pretendon ende të “çmilitarizojë” dhe “de-nazifikojë” Ukrainën. Kievi shpreson që plani i tij i paqes prej 10 pikash i propozuar pak kohë më parë, dhe një samit për paqe i organizuar muajin e ardhshëm nga OKB – që të dyja të refuzuara tashmë nga Kremlini – do të fitojë mbështetjen e partnerëve të saj kryesorë dhe do të hedhin bazat për negociatat e mundshme.

Por ndërsa të dyja palët presin të ndërmarrin ofensiva të reja ushtarake në muajt e ardhshëm, bisedimet e reja duken një perspektivë e largët. Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, aktualisht kreu i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale, tha për “Newsweek” se “aktualisht jemi në një luftë shumë të gjatë”.

Propozimi prej 10 pikash i Kievit bën thirrje për garantimin e sigurisë rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia të pushtuar nga Rusia; për sigurinë ushqimore; sigurinë energjetike, lirimin e të gjithë të burgosurve dhe rikthimin e të gjithë të dëbuarve; rivendosjen e integritetit të plotë territorial të Ukrainës; dhe tërheqjen e të gjitha trupave ruse.

Po ashtu ai kërkon krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet e luftës; një arkitekturë të re sigurie në hapësirën euroatlantike për të shmangur përshkallëzimin në të  ardhmen, përfshirë garancitë për Ukrainën; dhe një konfirmim me një marrëveshja se lufta ka përfunduar.

Ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, Vadym Prystaiko, thotë se propozimi “ka nevojë për disa ndryshime”. Por zyrtarët ukrainas që folën për “Newsweek”, thanë se ishin të bindur për vlerën e tij. “Ky plan është thelbësor jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën; sidomos pikat rreth sigurisë bërthamore, sigurisë së ushqimit, ndalimit të ekocidit etj;- shprehet Anton Gerashchenko, ish-zëvendësministër dhe këshilltar aktual i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

Ndërkaq deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko, që drejton komitetin e punëve të jashtme në parlament, i tha “Newsweek” se propozimi i Kievit “bazohet tek parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Por analisti i pavarur dhe eksperti mbi Rusinë, Nikolai Petrov, thotë se pretendimet maksimaliste mund të rezultojnë kundër-produktive për Kievin.

“Rusia nuk mund ta fitojë dot këtë luftë, por nga ana tjetër nuk mendoj se mund ta fitojë as Ukraina. Ambicia për t’i dëbuar trupat ruse nga çdo pëllëmbë e territorit ukrainas, është se parëndësishme dhe jorealiste”- thotë Petrov. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e ka cilësuar si “iluziv” planin e paqes së Kievit.

Kremlini nuk po tregon asnjë shenjë se do të tërhiqet nga synimet e tij maksimaliste të luftës, të cilat ende duket se përfshijnë ndryshimin e regjimit në Ukrainë. Dhe duket se Putini po luan lojën e pritjes. “Putin nuk ka asnjë arsye që të ndryshojë kursin. Ai do të presë që pala ukrainase të humbasë çdo aftësi reale për t’u mbrojtur. Kjo lidhet me faktorët njerëzorë dhe armët. Rusia është shumë më e përgatitur të presë më gjatë se sa Ukraina. Unë mendoj se plani B i Putinit është të presë derisa ukrainasit dhe perëndimoret të lodhen, dhe më pas ai mund të festojë një fitore relative”- thekson Petrov.

Partnerët kryesorë të Ukrainës brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, nuk duket se e kanë dobësuar ende mbështetjen e tyre për Kievin, pavarësisht se disa pakica në skajet e politikës në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë po ngrenë shqetësime për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.

“Në rastin e SHBA-së, Putin mund të përdorë jo vetëm këto zëra por edhe ndryshimet në situatën politike me zgjedhjet amerikane. Nuk ka asnjë shenjë se Putin do të kërkojë ndonjëherë një lloj paqeje që nuk i jep zyrtarisht kontrollin e territorit që ka pushtuar aktualisht”- thotë Daalder. Sipas ish-ambasadorit amerikan, e ardhmja e presidentit rus është e lidhur ngushtë me suksesin. Rusia nuk ka luksin ta përballojë dështimin, dhe as ai vetë.

Mbështetësja më e madh e Ukrainës është administrata e presidentit Joe Biden, e cila duket e angazhuar për një lloj fitoreje të ukrainasve në fushën e betejës. Kur Zelensky vizitoi Uashington në dhjetorin e vitit të kaluar, Biden tha se të dy burrat “ndajnë saktësisht të njëjtin vizion” për fundin e luftës, duke sugjeruar se Shtëpia e Bardhë mbështet synimin e Kievit për të rimarrë të gjithë territorin e pushtuar që nga viti 2014.

Moska duket se e ka interpretuar vizitën e Zelensky si një sinjal se paqja nuk është ende e mundur. “Bisedimet në Uashington kanë treguar se as Ukraina dhe as Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë paqe. Ata thjesht synojnë që të vazhdojnë luftimet”- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë shumë shpresë për ringjalljen e bisedimeve. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve në nëntor se Putini “ka treguar absolutisht zero sinjale se ai është i gatshëm të negociojë”. Gjithsesi ka zëra se SHBA-ja mund ta detyrojë Kievin të shkojë drejt një plani të ri me kërkesa më pak ambicioze, duke hequr dorë nga qëllimi i tij për çlirimin e gadishullit të Krimesë.

Kreu i Shefit të Shtabit të Përbashkët, Mark Milley, deklaroi në nëntor se probabiliteti që ushtria ukrainase të jetë në gjendje të çlirojë Krimenë “nuk është i lartë”. Po këtë muaj gazeta “The Wall Street Journal” raportoi duke cituar diplomatët evropianë që folën në kushte anonimiteti, se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan i kishte inkurajuar zyrtarët ukrainas të mendonin për “kërkesat dhe prioritetet realiste për negociatat”, duke përfshirë ndoshta heqjen dorë nga synimi për rimarrjen e Krimesë.

Daalder thotë se zyrtarët amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për kufizimet e Kievit. “Një fitore e Ukrainës nuk është teorikisht e pamundur. Por nuk ka gjasa, edhe nëse dërgohen në masë tanket. Realiteti është se rusët kanë depërtuar shumë thellë, dhe do të jetë shumë e vështirë që të sprapsen plotësisht”- shton ai.

Nga ana tjetër Ukraina përballet me një panoramë më të ndërlikuar mbi ambiciet e saj përfundimtare për anëtarësimin në BE dhe NATO. Kërkesat e Zelenskit për një anëtarësim të përshpejtuar, u hodhën poshtë si jopraktike nga zyrtarët e bllokut dhe shtetet anëtare. Gjithsesi Ukraina po kërkon garanci konkrete të sigurisë, dhe udhëheqësit e saj thonë se nuk ka asnjë alternativë të besueshme ndaj ombrellës së mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Një sondazh i Qendrës së Evropës së Re të botuar këtë javë zbuloi se 69 për qind e ukrainasve do të refuzonin çdo lloj marrëveshje paqeje që përjashtonte Kievin nga anëtarësimi në NATO. Por çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO është e ndërlikuar. Jo të 30 anëtarët do të jenë në favor, qoftë për shkak të mosmarrëveshje dypalëshe, si ato midis Hungarisë dhe Ukrainës, apo edhe nga frika e një përplasje të ardhshme me Rusinë.

Kievit mund t’i duhet të arrijë më shumë fitore për t’i bindur partnerët perëndimorë se është në gjendje të çlirojë të gjithë territorin sipas kufijve të tij të vitit 1991. Forcat ruse po përparojnë aktualisht në Donetsk rreth qyteteve Bakhmut dhe Soledar, ndërsa kundërofensivat e Kievit në rajonet e Luhansk dhe Kherson thuajse janë ndalur në vend.

Daalder mendon se zyrtarët perëndimorë nuk duhet të presin për një paqe që nuk vjen kurrë. “Në fakt shumica e luftërave nuk përfundojnë as me fitore dhe as me paqe. Prandaj, integrimi euroatlantik i Ukrainës duhet të jetë një prioritet”- thotë ish-diplomati. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 14.01.2023 11:07