Basha nuk flet për vizitën urgjente të zv.ambasadores amerikane në zyrë
Kreu i opozitës Lulzim Basha nuk ka preferuar të komentojë para gazetarëve se çfarë foli me zv.ambasadoren amerikane gjatë ditës së sotme.

“Takimet që kam me diplomatët e huaj nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave të mia me përfaqësuesit e shtypit”, tha Basha.

Ndërkohë, Basha u pyet nga gazetarët edhe më një urdhër ndaj degëve të PD-së në rrethe sipas të cilit nuk duhej lejuar zhvillimi i zgjedhjeve në 30 qershor edhe përmes forcës.

“Ku e keni marrë këtë informacion. Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij.

S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut por nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka që është një standard ndërkombëtar, europian.

Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të lejohen. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë që 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh.

Çdo hap i Edi Ramës, fushata, mitingje elektorale janë të paligjshme. Ndërkohë që aleanca qytetare me opozitën në krye është e vendosur të mbrojë demokracinë, rendin kushtetues.

Konfirmimi është i qartë dhe i printuar e zezë mbi të bardhë në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë. 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarët në zgjedhjet monopartiake", tha Basha.
Shtuar më 25/06/2019, ora 11:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori