Basha në Vjenë ngre shqetësimin për zgjedhjet
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, u takua sot në Vjenë me kryetarin e PD të Shqipërisë, Lulzim Basha, për të diskutuar për disa çështje të lidhura me zgjedhjet vendore të mbajtura më 21 qershor 2015.

Zannier tha se u informua rreth qëndrimit të Bashës dhe se dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tij rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri në lidhje me zgjedhjet vendore dhe parregullsitë e pretenduara gjatë procesit zgjedhor.

Duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm dhe të paanshëm të luajtur nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) në monitorimin e procesit zgjedhor, Zannier e siguroi bashkëbiseduesin se në Raportin Përfundimtar të Misionit do të pasqyrohet një vlerësim objektiv dhe i saktë i zgjedhjeve, kur ky të bëhet publik pas rreth tetë javësh.

“Raporti Përfundimtar do të ofrojë disa rekomandime për përafrimin e mëtejshëm të proceseve zgjedhore me angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare”, tha ai. “Pres nga të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për t’i vënë në zbatim këto rekomandime, në dobi të popullit shqiptar”, tha Zannier. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2015, ora 15:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori