Basha në PPE: Opozita, barrierë për abuzivitetin dhe arrogancën
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ndërkohë që i ka njohur me goditjen e rëndë që i është dhënë demokracisë në Shqipëri përmes blerjes së votës në Korçë.

“Kam kërkuar mbështetjen e të gjithë të pranishmëve, shumica e të cilëve janë në qeverisje sot në Europë, sepse e djathta është shumicë si në qeveritë e kombëtare, ashtu edhe në Parlamentin Europian edhe në Komisionin Europian, pra përkrahjen e tyre, që Shqipëria të marrë statusin në dhjetor”- ka thene Basha.

Basha u shpreh gjithashtu se ka shprehur qëndrimin e prerë të Partisë Demokratike, në koherencë me qëndrimin si mazhorancë, tani në opozitë, se Shqipëria e meriton statusin, që shqiptarët e meritojnë statusin.


“Nga ana tjetër kemi diskutuar jo për herë të parë, por në mënyrë edhe më të thelluar për shqetësimet e mëdha me të cilat po përballet opozita shqiptare, Partia Demokratike, publiku shqiptar në raport me goditjen e rëndë që i është dhënë shtetit ligjor dhe së fundmi edhe votës së lirë, me episodet e shëmtuara të blerjes së votës në Korçë. Partia Demokratike e ka ngritur zërin fuqishëm, në mënyrë institucionale por edhe në mënyrë popullore siç tregoi edhe protesta në Tiranë dhe sot ka siguruar mbështetjen e gjerë dhe të fuqishme të PPE-së, ka siguruar mbështetjen e fuqishme të partive simotra, me të cilat po bashkërendojmë një aksion të fuqishëm në kuadër të PPE-së, për të ndalur këtë revansh ndaj shtetit ligjor dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që guxuan të ngrinin rrethin kriminal me të cilin u dëmtua demokracia shqiptare dhe kërcënohet edhe sot e kësaj dite kjo demokraci nëpërmjet shitblerjes së votës”, deklaroi Basha .
Kryetari i opozitës, ka theksuar se ecja përpara në etapat që e presin vendin për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian siç është statusi i vedit kandidat e më pas, hapja e negociatave , është korniza e duhur për të trajtuar çdo problem dhe shqetësim, përfshirë të ashtuquajturat prioritete kyçe të Komisionit dhe natyrisht shqetësimet ekzistenciale për demokracinë dhe shtetin ligjor që janë natyrisht shumë më të rëndësishme, dhe shumë më themelore se çdo prioritet tjetër.
Shtuar më 13/11/2013, ora 10:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori