Basha: Ndokën e bëmë drejtor se na e propozoi PDIU
Pëlqej
Partia Demokratike vijon të bëjë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për dhunën mbi deputetin demokrat, Gent Strazimiri. Duke folur në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu në TV Klan, kreu i kësaj partie Lulzim Basha tha se kryeministri Rama ka përzgjedhur njerëz kryesisht nga trevat e veriut, që kanë patur precedentë penalë, ose persona të dyshuar apo të ndjekur nga policia europiane për krim të organizuar.

Këta persona, -tha Basha, – janë përzgjedhur me dorë nga Edi Rama dhe janë sjellë në parlament pikërisht për të bërë këtë punë (ushtruar dhunë) dhe jo se kanë ndonjë oratori.

Intervista

Z.Basha, prokuroria ka nisur hetimin për dy deputetë socialistë, Ndoka dhe Ndreu, duke i marrë të pandehur për dhunën ndaj deputetit të PDsë, Strazimiri. Si e shihni vendimin e prokurorisë?
Ne e kemi e përshëndetur vendimin e prokurorisë. Është vendimi i duhur. E kundërta do të ishte e gabuar, nëse prokuroria nuk do të reagonte. Provat flasin vetë. Për faqen tonë të zezë, kjo ka ndodhur. Faktet janë në dritë të diellit. Një sulm kriminal. Jo thjeshtë dhunë, por një dhunë politike, atentat politik. Por nëse transmetoni momentin para sulmit, do të shikoni urdhëruesin e tij, Edi Rama. Strazimiri akuzoi për 19 deputetë të inkriminuar me krimin dhe PD-ja i ka bërë publike. Por problemi që kemi sot në Shqipëri nuk është se aty ka pasur një konfrontim emocional, por ka pasur një përpjekje të vazhdueshme të z.Rama për ta paraqitur si një konfrontim fizik, por është një dhunë kriminale për t’i mbyllur gojën opozitës. Deputeti në fjalë dhe deputetë të tjerë janë përzgjedhur nga z.Rama pikërisht për këtë gjë, për të bërë xhandarin e opozitës.

Personi një fjalë a ka qenë drejtor në administratën e PD-së?
Asnjëherë nuk ka qënë drejtor i PD-së. Ka qenë në dy raste i sjellë si propozim nga dy parti të tjera. Nuk ka qenë drejtor në administratën e lartë, por propozim i dy partive aleate. Por këtu bëhet fjalë për një standard të lartë moral se si zgjidhen njerëzit për të hyrë në Kuvend. Rama ka zgjedhur kryesisht nga trevat e veriut për herë të dytë jo vetëm rastin e Ndokës, të akuzuar për prostitucion, por edhe për persona të ndjekur nga policia, për rrëmbim personash. Këta njerëz janë zgjeshur me dorë nga z.Rama dhe janë sjellë në Kuvend. Rama nuk e ka përzgjedhur se është me karrierë në PS, por e ka përzgjedhur si xhandar për t’i mbyllur gojën në Kuvend. Personi ka qenë drejtor i PDIU-së dhe në momentin kur është marrë vesh nga ne, pavarësisht se posti menaxhohej nga PDIU, është larguar.

Kaq shumë ju trembin këta njerëz?
PD ka treguar edhe me vepra se nuk ka horr që ta trembë. E ka treguar se ka shembur sistemin e egër të diktaturës.

Ka PD njerëz të tillë në Kuvend?
PD nuk ka njerëz të tillë me precedentë, si ata të PS-së në Kuvend.

Z.Rama ju ka ftuar që të çoni një draft, në mënyrë që të pengohet hyrja e njerëzve me precedentë në Kuvend
T’i ndajmë gjërat. Z.Rama u përpoq t’u hedhë hi syve të gjithë shqiptarëve. Nuk është çështje ligji kjo. Nëse flasim për konceptin e rehabilitimit, kur ti ke vuajtur dënimin, bën rehabilitimin. Nuk është çështje ligji, por është çështje vullneti. Në Evropë nuk ka rast të tillë që kryeministri i vendit të instalojë në Kuvend njerëz që s’kanë asnjë lidhje me PS-në, me politikën, por që janë banditë, vrasës dhe kriminelë. Ne i kemi denoncuar dhe t’i denoncojmë. Nëse nuk ndërgjegjësohemi se ky nuk është konflikt emocional, kjo është shumë e rëndë. Në momentin që krimi ka marrë frenat në dorë, atëherë situata do shkojë keq e më keq. Qeverisja duhet të kërkojë më të mirën për qytetarët, por është e keqja e tyre. T’i marrësh këta njerëz për t’i përdorur vetëm si xhandarë, kjo është shumë e rëndë. Edi Rama duhet ta nisë me një falje, ku e ka çuar PS-në, vendin dhe të mos lajë duart si Pons Pilati. Ne kemi kërkuar që iniciuesi i kësaj të reflektojë, por ai foli me gjuhë vulgare dhe hakmarrje. Rama i merr në mbrojtje deputetët. Nuk ngurroi në “Facebook” që t’i marrë në mbrojtje, sepse ai i ka zgjedhur dhe ky e urdhëroi dhunën. Ai nuk merr dot distancë, sepse është ai shkaku. Është ai që zgjodhi Ndokën dhe të tjerët, pikërisht për dhunën ndaj opozitës.

Shkoni e bëni një ligj në Kuvend
Pse mungesa e ligjit e ndaloi atë që të sjellë këta persona në Kuvend? Është mendësia e tij që të sjellë nga veriu dhe nga jugu njerëz me precedentë penalë, i ka përdorur në fushatën zgjedhore. Ai hoqi tri gra, njërës i është marrë peng djali dhe në vend të tyre vuri këta persona të inkriminuar me krimin. Këta janë njerëz të hurit dhe të litarit. A ka shqiptar që nuk është tronditur nga këto skena dhune në Kuvend? Ju më 21 janar nuk i dorëzuat pamjet… Nuk është e vërtetë. Nuk duhet të bini pre e lojës së ulët të z.Rama. Ka pasur një proces, por ka pasur përpjekje për t’i ikur të vërtetës. Rama në vend që të reflektonte, urdhëroi krimin në Kuvend. A përdorët dy standarde në rastin e 21 janarit? Absolutisht asnjëherë. Kemi qenë brenda kornizës së ligjit. Edi Rama e mban pushtetin e tij përmes kriminelëve. Nuk do të ketë zgjidhje nëse nuk reflekton. Flet me mendësinë prej rrugaçi kur mbron kriminelët. E ka detyrë ligjore si kryeministër të mbrojë qytetarin. Por ky s’mund t’i mbrojë, sepse komandohet nga kriminelët.

E përshëndetni prokurorinë edhe për marrjen të pandehur edhe deputetin e PD-së, Astrit Veliaj?
Janë dy çështje krejt të ndryshme. Njëra çështje është e paprecedentë në historinë e vendeve evropiane dhe natyrisht e kemi përshëndetur. Nuk ka precedentë që kryeministri të urdhërojë deputetët të ushtrojnë dhunë. Unë kam shkuar vetë në prokurori për të dorëzuar kallëzimin penal ndaj atyre dy deputetëve, por duhet të zbardhet skenari dhe nxitësi. Kërkoj që të zbardhen përgjegjësitë. Faktet janë në dritën e diellit.

Po për situatën e dytë, atë të z.Astrit Veliaj?
Situata e dytë është situatë pronësore dhe që ka të bëjë me z.Veliaj, i cili është anëtar i grupit parlamentar. Ai nuk është bandit, por është një sipërmarrës dhe akuzohet nga prokuroria për ndërtim pa leje të universitetit në Fier. Kam bindjen e plotë se z.Veliaj do bashkëpunojë dhe drejtësia do të zbardhë të vërtetën.

Ju nuk do të ndërhyni?
Absolutisht jo. Keni frikë se nga hetimet mund të përfshihen zyrtarë të lartë të PD-së? Aspak. Që në fillim e kam ftuar prokurorinë dhe këtë mazhorancë për çdo hetim dhe ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Hetimi hedh dritë nga akuzat e pabazuara, siç u bë në rastin e z.Imami. Ne jemi të hapur që të bashkëpunojmë për çdo pretendim dhe akuzë, nëse bëhet sipas ligjit. Ne kemi besim te drejtësia.

Ju personalisht a keni frikë për lejet e ndërtimit në Tiranë, siç ka paralajmëruar mazhoranca?
Kjo është tymnajë politike e frymëzuar nga z.Rama, i cili në vend që të qeverisë vendin, merret me akuza të pavërteta. Të ndajmë të vërtetat nga propaganda. E vërteta është se bashkia ka një plan urban të konsultuar nga qytetarët e Tiranës, të miratuar dhe për herë të parë lejet e ndërtimit jepen sipas një plani urban.

Të ndalemi te bojkoti i opozitës, a e përligj kjo ngjarje shmangien nga përballja me mazhorancën në Kuvend?
Kjo është pyetje shumë e drejtë. Që në ditën e parë të marrjes së detyrës, unë si kryetar i PD-së kam shpallur se Parlamenti është aueloa jonë e aksionit tonë politik. Kemi treguar përkushtimin tonë ndaj jetës parlamentare. Por PS që nuk kishte siguruar të gjitha numrat, bëri shumicën e kualifikuar përmes trafiqeve, për të shmangur debatin me opozitën dhe shkeli konsensusin. I duheshin 84 vota për të shmangur opozitën.

Ju keni ‘trafikuar’ tre deputetë nga e majta…
Nuk është e njëjta situatë. Ne thamë se e njohim legjitimitetin e Kuvendit dhe vazhduam përpjekjet tona, por ata shkelmuan konsensusin si domosdoshmëri për të arritur atë që kërkonte BE. Vendosën t’i bëjnë vetë ligjet, pa opozitën. Opozitës i hoqën atë që e ka me Kushtetutë, të drejtën e hetimeve parlamentare, mohuan hetimet për drogën, për shkarkimet në administratë. Ne shkuam në Kushtetuese për të shfrytëzuar të gjitha kanalet kushtetuese. Por ata shkelën edhe vendimet e Kushtetueses. Ne na mbeti fjala. Nuk u larguam, aty ishim. E filloi me asgjësimin në Parlament. Asgjësimi nuk janë ato grushtet e atyre dy horrave, se nuk na trembin grushtet e tyre, por duke mos qenë një incident i rëndomtë, por një skenar dhune i Ramës, ka dy mundësi: mundësia e parë është vetëgjyqësia që vjen dhiata e vjetër. E dyta është konfirmimi. As njëra dhe as tjetra nuk janë zgjidhje. Për opozitën është krijuar situatë e papranueshme. Kuvendi është më shumë aty ku jemi ne sot sesa aty ku janë ata. Aty dhunohet fjala dhe Kushtetuta.

Si do e zgjidhni?
Duke ndërgjegjësuar qytetarët vendës dhe ndërkombëtarët. Duke insistuar që rrugëzgjidhja, dalja nga kjo situatë është vetëm një: marrja e përgjegjësive. Ai duhet të rrëfehet dhe të pranojë përgjegjësitë për atë që ka bërë. Përgjegjësitë që ka.

Po nëse nuk kërkon falje, çfarë do të bëni?
Ky nuk është Parlament. Ne do të zhvillojmë opozitë në çdo moment. Të vazhdojmë me një parlament të tillë që shkel Kushtetutën? Ne do të qëndrojmë me të gjitha mënyrat.

Jashtë Parlamentit?
Ky nuk është Parlament. Sinjalet kanë ardhur edhe nga ambasadori amerikan dhe OSBE, të cilët kanë dënuar dhunën në Kuvend dhe kanë kërkuar zbatimin e vendimeve të Kushtetutës.

Pra, nuk do të hyni në Parlament?
Ne do të vazhdojmë betejën tonë në çdo fushë. Ky nuk është Parlament. Por nuk jemi aty për ta kthyer Parlamentin, siç do Rama, jemi për interesat e qytetarëve. Ka dy mundësi: ose të futemi aty dhe të konfrontohemi, gjë që nuk do të ndodhë, ose të bëjmë vetëgjyqësi.

Atëherë çdo të bëni?
Do të bëjmë që të kthejmë parlamentarizmin në Shqipëri.

Ku do e bëni? Në rrugë?
Në të gjitha skenarët që po i ndiqni dhe ju. Do të ndërgjegjësojmë qytetarët dhe ndërkombëtarët dhe do t’i shërbejë qëllimit që kemi, që të shpëtojmë parlamentarizmin nga banditizmi dhe kriminelët. Ne jemi të vendosur dhe do ta bëjmë këtë, sepse jemi parti misionare.

Ka kontestime në PD për bojkotin?
Ka diskutime për mënyrën e arritjes së objektivit. Hapja e hetimeve sigurisht që krijon një mundësi për drejtësi, por themelore mbetet vullneti politik. Kush e mori vendim për largimin nga Parlamenti, ju apo z.Berisha? Vendimin e mora unë së bashku me deputetët e tjerë, përfshi dhe z.Berisha.

Ju bojkotoni, por zj.Topalli mori pjesë në një darkë zyrtare me z.Meta…
Mos i ngatërroni gjërat. Mos i ngatërroni marrëdhëniet ndërshtetërore. Ish-kryetarja e Kuvendit ka pasur njohje me zyrtarin e lartë japonez.

Ju i keni bërë ftesë z.Rama për debat…
Rama ka ngritur një sërë akuzash, unë i kam thënë “hajde përballë sepse je autor i bllokimit të investimeve në Tiranë, autor i veprave që nuk kanë lidhje me profilin e kryebashkiakut, por me jetën e kryeqytasve”. Në një debat të tillë jam gati të ballafaqohem me të gjitha çështjet, por ai nuk i qëndron debatit, sepse ka zgjedhur të qëndrojë larg tij. Ai nuk mund të vijë në debat, ai ka bërë një investim të tillë, që ka sjellë sipër dhe poshtë Shkumbinit kriminelë dhe nuk e duron dot debatin dhe të vërtetat. Rama i ikën debatit dhe rri si Plaku Mero, duke u zënë me opozitën. Thelbi është që ky njeri është negativ, drejtohet nga mllefi. Bëhet fjalë për një mendësi antidemokratike.

Si e konsideroni arrestimin e guvernatorit të BSH-së z.Fullani?
E kemi inkurajuar hetimin për zbardhjen e çështjes. Nëse prokurori i çështjes nuk zbardh përgjegjësitë penale, atëherë jemi të detyruar të themi se ai është pjesë e skenarit të policisë. Por Fullani nuk është i djathtë, e ka zgjedhur z.Nano dhe PD nuk merret me sytë e Ardian Fullanit, por me performancën e Bankës. Pala tjetër e ka paralajmëruar për shkarkim z.Fullani.

Kryeministri i ka propozuar presidentit, guvernator të huaj. PD do ta pranojë?
PD është pro Kushtetutës dhe ligjit. …

Që nuk e lejon?
Në Shqipëri nuk mungojnë kapacitetet për guvernatorin e ri.

Besoni se një i huaj mund të ruajë pavarësinë e Bankës?
Kjo është non sens. Ky i huaji mund të jetë një klient i mazhorancës. Çështjet e veçanta nuk janë pjesë e diskutimit. Sjellja e mazhorancës qëndron pas përpjekjes për të marrë kontrollin e Bankës.

Është një mundësi për konsensus për emrat?
Mospraninë tonë në këtë asamble nuk e kushtëzojmë me çështje të veçanta.

Të ndalemi te Kuvendi i PD-së. Sa delegatë do jenë?
Do të jetë afër 7500 delegatë. Nuk është nga ato kuvende ku rrihet ulur. Është kuvend aktiv. Delegatët e kanë vendin e tyre të përcaktuar. Është kuvend diskutimesh, reflektimesh. Këto janë formate të përdorura në Evropë si kuvende të këtyre përmasave. Është propozuar në statut që kuvendet të jenë të tilla.

Cili do të jetë rendi i ditës?
Do të fillojë dita e parë. Do të shpallen synimet, reflektimet, analizat, të metat tona, ndryshimet statutore dhe zgjedhja e Këshillit të Kombëtar. Është përmbyllja e një analize, që nisi me zgjedhjet dhe do të përmbyllet me Kuvendin. Propozimet statutore janë që përveç një numri të zgjedhur, siç janë kryetarët e degëve, të ketë një kuotë jo më pak se 100. Të shtunën do të propozohet që këshilli të ketë 150 anëtarë, ku do të përfshihen edhe deputetët.

Çfarë është ky model që nuk votohen?
E drejtë! Pavarësisht duhet të themi që PD ka bërë konsultimet me anëtarësinë e saj. Qëllimi është që vendimmarrja të jetë sa më afër anëtarësisë.

Ky këshill do zgjedhë një kryesi prej sa vetësh?
Ndryshimet statutore propozohen nga një kryesi një krye dhe me sekretarët e komisioneve. Numri nuk është se do të ndryshojë shumë.

A do të ketë sërish PD dy nënkryetarë dhe sekretarë?
Mbetet për t’u vendosur në Kuvend. Vazhdon siç është tani, me dy nënkryetarë. Do të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar.

Kush bie dhe kush ngrihet në PD?
Ata do të zgjidhen me votë. 7500 vetë është kurumi më i madh që ka pasur në Shqipëri deri në Ballkan.
Shtuar më 26/09/2014, ora 09:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori