Basha: Ndarja e Kosovës, skenar millosheviçian
Albeu.com
Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka deklaruar se Shqipëria mbështet planin e paraqitur nga Ahtisari lidhur me çështjen e statusit final të Kosovës.Sipas tij, ndarja e Kosovës nuk është gjë tjetër përveçse një skenar Millosheviçian. Shefi i diplomacisë shqiptare theksoi se Tirana zyrtare mbështet planin e paraqitur nga Ahtisari si dhe përpjkjet e BE-së dhe SHBA-së ne kete proces. Sipas tij, pavarësia është e vetmja zgjidhje e çështjes së Kosovës. “Opsioni i ndarjes ka qarkulluar para shumë kohësh dhe është kundërshtuar me forcë nga Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar”, tha zoti Basha.

Ministri i Jashtëm tha se “gjate fazës së konsultimeve në Këshillin e Sigurimit ishte qëndrimi i Shqipërisë kundër atij që ne e konsiderojmë unilateralizëm bllokues të Rusisë, që ndihmoi në mënyrë thelbësore në formulimin e taktikës së re diplomatike që po ndiqet nga aleatët tanë në bisedimet e pritshme”.

Duke iu përgjigjur akuzave të bëra nga disa përfaqësues të opozitës, sipas të cilëve, diplomacia shqiptare nuk ka qene aktive në masën e duhur në lidhje me çështjen e Kosovës, zoti Basha tha se “patriotëve të gushtit duhet t’ju kujtoj se gjatë gjithë kësaj periudhe opozita dhe zëdhënësit e saj kanë qenë tepër të okupuar me krizën presidenciale dhe luftën e brendshme politike për të pikasur zhvillimet në frontin e Kosovës dhe rolin e Shqipërisë, ndonëse këto të fundit janë pasqyruar gjerësisht në mediat vendase dhe të huaja. Megjithatë, deklaratat e fundit të opozitës, ndonëse me shumë vonesë, janë të mirëpritura nga ana jonë”.

Zoti Basha deklaratën e tij e bëri pas prezantimit të princit Leka II si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ministri Basha vuri në dukje se emërimi i Princit Leka II në kabinetin e tij është pjese e filozofisë së Qeverisë shqiptare si dhe e vendosmërisë së tij për të pranuar në administratën shtetërore kapacitetet më të mira të vendit, persona me aftësi të spikatura në pajtim me nevojat e Shërbimit të Jashtëm dhe kërkesave gjithnjë në rritje të diplomacisë shqiptare.
Zoti Basha theksoi se Princi Leka II e ka pranuar me kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e ekipit te tij, duke filluar kështu karrierën profesionale në fushën e marrëdhënieve me jashtë, në shërbim të diplomacisë se vendit dhe në mbrojtje të interesave më të larta të kombit shqiptar. start
Shtuar më 20/08/2007, ora 16:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori