Basha: Mirëpresim Qytetarin e Nderit, vizita e Papës bekim për ne
Pëlqej
Edhe Lulzim Basha ka komentuar vizitën e Papa Françeskut në Tiranë. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i PD-së shkruan se vizita e tij do jetë privilegj dhe një ngjarje e shënuar për çdo shqiptar.

"Për qytetin tonë është një ngjarje e shënuar dhe një privilegj i veçantë të mikpresë të dielën më 21 shtator në një vizitë historike, Papa Françeskun.

Kjo është vizita e parë e Papa Françeskut në një qytet dhe në një vend europian, një përzgjedhje kuptimplotë nga ana e Shenjtërisë së tij që na jep nder të gjithëve, një bekim për vendin tonë, një vlerësim i jashtëzakonshëm për qytetarët e Tiranës dhe për çdo shqiptar.

Tirana dhe Shqipëria janë pa dyshim një shembull për mbarë botën e tolerancës dhe bashkëjetesës civile të njerëzve, në respekt të perkatësive të tyre fetare, sekulariste apo krahinore.

Këto virtyte të trashëguara në shekuj e kanë lartësuar figurën e shqiptarëve. Sot, bota ka shumë nevojë për këtë shembull të shkëlqyer të respektit të besimtarëve dhe komuniteteve respektive për njeri-tjetrin, që shqiptarët përçojnë ditë pas dite.

Për mua, është një nder i veçantë që në emër të qytetarëve të Tiranës, t’i dorëzoj Atit të Shenjtë titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin:

“Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave, në krye të Selisë së Shenjtë si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”

Na ndajnë akoma katër ditë nga kjo vizitë apostolike por Papa Françesku thuajse ka mbërritur. Tirana dhe qytetarët e saj, pa dallim feje, krahine dhe ideje janë përgatitur për të pritur me zemër të bardhë, siç e ka zakoni shqiptar, Papën e të thjeshtëve, Papën e afrimit dhe bashkimit të njerëzve, mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Qytetarin e Nderit të Tiranës sonë.

I themi së bashku, me gjithë zemër: “Mirë se vjen në Tiranë!", përfundon mesazhi i Bashës. /albeu.com/
Shtuar më 17/09/2014, ora 12:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori