Basha: Ministrat teknikë kanë bërë gati dorëheqjet
Vetëm pak ditë pasi u mandatua sërish nga demokratët në krye të PD, Lulzim Basha ka mbledhur në selinë e PD grupin e ri parlamentar për t'u dhënë porositë e aksionit opozitar.

Gjatë një deklarate për mediat pas përfundimit të këtij takimi, Basha u shpreh ftoi për bashkëpunim me opozitën forcat e tjera politike, ndërsa u shpreh se 6 ministrat teknikë dhe zv/kryeministrja po përfundojnë raportin për zgjedhjet dhe mënjëherë pas tij do japin dorëheqjet nga funksionet.

"Ne do të denoncojmë të gjitha rastet që vështirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë.

Jemi gati të bashkëpunojmë me këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend, dhe jo pazar-opozitë.

Opozita është e pandarë dhe jo diku opozitë e diku pazar. Ministrat po përfundojnë raportin për zgjedhjet dhe mënjeherë pas kësaj më kanë informuar se kanë bërë gati dorëheqjet e tyre", u shpreh Basha.

"S'kemi marrëveshje tjetër me Ramën"
Kreu i PD ka siguruar deputetët se nuk ka asnjë marrëveshje me Edi Ramën dhe se kompromisi i 18 majit ishte në funksion të zgjedhjeve parlamentare.

"S'kemi asnjë vizion të përbashkët me Partinë Socialiste. Nuk ka asnjë kompromis dhe asnjë flirt me Ramën. Marrëveshja e 18 majit ishte në funksion të zgjedhjeve dhe marrëveshje tjetër me Ramën nuk ka", u shpreh Basha.

Basha u ka kërkuar deputetëve demokratë angazhim dhe përqëndrim të energjive të tyre në kontaktete me qytetarëve të të gjithë vendin si një mision për bashkimin e të gjithëve në përballjen me Edi Ramen i cili sipas Bashës përfaqëson të keqen në vend.

Në këtë drejtim edhe për LSI, Basha kishte të njëjtin qëndrim si pjesë e së njëjtës të keqe.

"Rama përfaqëson të keqen, PS dhe LSI janë njësoj. Ne jemi opozitë dhe do denoncojmë çdo gjë. Marrëveshja e 18 majit ishte në funksion të zgjedhjeve dhe marrëveshje tjetër me Ramën nuk ka", tha kreu i PD.

Kreu i PD ka porositur deputetët që të nisin punën për një tur special në të gjithë vendin për t'u organizuar në një opozitë frontale.

"Misioni ynë do jetë një opozitë e fortë. Ne do të nisim një tur special në të gjithë vendin", ka thënë Basha.
Shtuar më 26/07/2017, ora 15:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori