Basha merr një "shuplakë" nga aleati i vjetër: Opozita duhet të reflektojë
Kur kanë kaluar 6 muaj nga nisja e krizës politike në vend kryetari i Republikanes, Fatmir Mediu zbulon ekskluzivisht për Top Channel përpjekjen e OSBE për arritjen e një marrëveshje mes palëve.

“Ka pasur interes të OSBE OHDIRIT për të facilituar një takim ndërmjet palëve, por palët më parë duhet të binin dakort paraprakisht. Se nuk besoj se do vijë dikush për të ardhur për të shpenzuar kohë kot apo për tu refuzuar. Kemi shkuar me Bashën në Luksemburg dhe si opozitë në Vjenë dhe kemi takuar z. Greminger, i cili ka pasur një kërkesë zyrtare edhe nga z. Meta dhe kemi thënë që jemi dakort për dialog mes pozitës dhe opozitës”- tha Fatmir Mediu.

Frenimi i rotacionit për pushtetin vendor, zgjedhje të parakohshme lokale e parlamentare me qeveri kujdestare dhe bashkëpunim për një shtet kushtetues ishin disa nga kërkesat e parashtruara nga opozita për dialog. Por, tentativa krejt papritur dështoi. Aleati historik i Bashës tregon arsyet pse.

“Ka qëndrim të marrë në këshillin e përgjithshëm të OSBE nga figura e shquar që zoti Rama ka vendosur në krye të diplomacise në kundershtim me ligjin që se ka pranuar një negocim të tille nga OSBE. Mesa di unë dhe zoti Rama ka refuzuar kërkesën e zotit Lajcak dhe z. Greminger, por mos të jem abuziv këto janë informacione të cilat nuk janë zyrtare”- u shpreh Mediu.

Pas kësaj përpjekjeje, palët nuk kanë lëvizur asnjë centimetër nga qëndrimet, por a priten ndërmjetësime të tjera në vjeshtë nga të huajt?

“Unë mendoj se ndërkombëtarët duan normalitet politik në Shqipëri nëse se kuptojnë këtë normalitet në Shqipëri se besoj se do bëhen pjesë e maskaradës apo e idiotësisë politike shqiptare. Ne duhet të krijojmë kurs diskutimi normal me njëri-tjetrin pastaj të kemi mundësi për të ofruar. Ka shumë personalitete që janë të gatshëm për të negociuar. Siç janë njerëz që janë marrë me Maqedoninë. Por të paktën të tregojmë përgjegjshmëri minimale”- tha kryetari i Partisë Republikane.

Kritikat, Fatmir Mediu nuk i kursen as për Lulzim Bashën, i cili sipas tij duhet të heqë dorë nga kërkesa e panegociueshme, se nuk ulet me Edi Ramën në tryezë për dialog.

Opozita duhet të reflektojë . Çështjet e emrave janë tërësisht të parëndësishme. Nëse ulemi si palë politike secila palë ka të drejtë kë mendon se është më efektive. Mendoj se duhet të ulen ata që kanë përgjegjësi për të marrë vendimmarrje sesa aktorë dytësorë që mund të kthejnë dialogun politik në lojë të pavlefshme. Duhet të ulemi sa më parë në dialog.

Kryerepublikani është i mendimit që opozita duhet të ndryshojë kurs dhe të hartojë një plan të ri aksioni kur të përfshije edhe ndërveprimin me ndërkombëtarët.
Shtuar më 04/08/2019, ora 22:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori