Hoteli në formë hëne, një mrekulli arkitekturore në Dubai

“Moon World Resorts” është projekti më i ri që pritet të vihet në zbatim, për herë të parë, në Dubai. Kompania përgjegjëse e kësaj mrekullie arkitekture, përveçse në Dubai, kërkon të ndërtojë edhe në vende të tjera një seri hotelesh gjigante të ngjashme me hënën.

Sipas tyre, strukturat e hoteleve do të jenë një rikrijim 360 gradë i hënës, kompletuar me kratere dhe pamje identike me këtë trup qiellor. Çdo “hënë” e rikrijuar mund të jetë e lartë 224 metra, megjithatë kjo do të jetë në varësi të vendndodhjes dhe lejeve të planifikimit.

Sipërmarrësi, Michael R. Henderson, bashkëthemelues i “Moon World Resorts”, tregon për CNN Travel arsyen e përzgjedhjes së hënës, si simbolikë të projekteve të tyre. “Shtatë miliardë e gjysmë njerëz e njohin dhe të gjithë e duan”, thotë ai.

Çdo hotel është konceptuar të jetë një vendpushim luksoz me ambiente të brendshme që ngjasojnë me një anije kozmike. Restorantet, baret dhe dyqanet brenda hoteleve do t’i japin turistëve idenë se po ecin në sipërfaqen e hënës.

Në fakt, projekti paraqet sfida të jashtëzakonshme teknike, por kjo nuk e pengon kompaninë të realizojë qëllimin ambicioz për të ndërtuar katër resorte të tilla, përkatësisht në Amerikën e Veriut, Europë, Lindjen e Mesme dhe në Azi.  Resorti i parë “Moon World”, pritet të hapet në vitin 2027.