Ja çfarë përmban rezoluta për reformën territoriale
Kreu i opozitës Lulzim Basha u shpreh sot se opozita nuk ka qene kurre kundër një reforme të vertete administrative. Duke folur në konferencën për Reformen Territoriale, Basha kërkoi që kjo reformë të jetë e qëndrueshme pasi sipas tij ne thelb te saj nuk jane llogarite politike, por interesat e qytetareve.

"Ne nisje te reformes nuk sajuam asnje kusht per te sabotuar reformen, por vetem nje kriter te domosdoshem, konsensusin politik ne te gjitha hallkat e vendimmarrjes, pasi asnje pale nuk e ka bere e nuk mundet ta beje vetem. Pasi kjo eshte nje reforme qe i mbijeton maxhorancave. Duhet te jete reforme e qendrueshme, pasi ne thelb te saj nuk jane llogarite politike, por interesat e qytetareve. Eshte hera e pare qe refuzohet konsensusi politik dhe zevendesohet me pseudokonsensus te dhene me nje komision per te mohuar aty ku merret vendimi ne aulen e Kuvendit"- tha Basha.

Pas dy tryezash të zhvilluara në javët e fundit, përfaqësues të 384 njësive vendore në të gjithë vendin jane mbledhur sot në një konferencë në Pallatin e Kongreseve, ku do të miratohet edhe nje rezolute.

Ja Rezoluta për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale.

Ne, të zgjedhurit vendorë me mandatin përfaqësues të komuniteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë, kryetarë të bashkive dhe komunave, anëtarë të këshillave bashkiake, komunalë e të qarqeve të Shqipërisë, pa dallime partiake e politike; nëpunës civilë dhe punonjës të administratës vendore dhe njësive të ndryshme që kryejnë shërbimet vendore; përfaqësues të organizatave civile e komunitare anembanë Shqipërisë; përfaqësues të organizatave të sipërmarrësve të mëdhenj, të mesëm e të vegjël në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe nga të gjitha rajonet e vendit; deputetë të Kuvendit të Shqipërisë; qytetarë të lirë, burra e gra, të rinj e të reja, me apo pa angazhime politike, të mbledhur sot më 2 korrik 2014 në Tiranë;
Të shtyrë nga interesi legjitim i qytetarëve dhe komuniteteve vendore, për shërbime cilësore dhe llogaridhënie demokratike sa më pranë qytetarëve;
Bazuar në parimet universalisht të pranuara të demokracisë dhe qeverisjes vendore;
Duke pohuar gjithçka të arritur në këto vite të demokracisë dhe bazuar mbi përvojën historike vetëqeverisëse shqiptare;
Duke vlerësuar se zgjerimi dhe forcimi i autonomisë vendore, si formë e lirisë dhe e drejtë natyrore e komuniteteve për t’u vetëqeverisur ka mundësuar:
• Lindjen dhe konsolidimin e demokracisë vendore;
• Zgjerimin e gamës së shërbimeve vendore;
• Rritjen e shkallës së investimeve zhvilluese në nivel vendor;
• Forcimin e transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve;
Të bindur se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet teknike, profesionale, politike, civile e qytetare, për të ecur shpejt dhe të sigurtë drejt hartimit dhe miratimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale;
Duke vlerësuar me mirënjohje, mbështetjen e madhe që partnerët ndërkombëtare i kanë dhënë e po i japin Shqipërisë në rrugën e saj të demokracisë dhe shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik e social dhe integrimit euro-atlantik dhe në veçanti decentralizimit dhe vetëqeverisjes vendore;
Duke shprehur shqetësimin tonë të thellë dhe kundërshtimin bazuar mbi fakte dhe të dhëna zyrtare ndaj argumenteve të padrejtë, të pasaktë ose të ekzagjeruar nga ana e qeverisë se:
• qeverisja vendore është ineficente në radhë të parë prej numrit të madh të njësive të vogla e me pak banorë;
• për këtë shkak, decentralizimi në tërësi nuk i paskësh arritur qëllimet e tij, ndaj zgjidhja e problemeve është një hartë e re me kufij të rishikuar të njësive vendore;
• apo se njësitë e qeverisjes vendore mbahen nga fondet e qeverisë dhe i shpërdorojnë ato për paga apo shpenzime operative e për rrjedhojë qytetarët nuk marrin shërbimet e duhura nga qeverisja vendore.
Duke vlerësuar se procesi i ndjekur nga qeveria dhe mazhoranca:
• nuk është kryer e nuk po kryhet me metodën e duhur,
• nuk ka marrë në konsideratë kontributet e vyera dhe objektive të shoqërisë civile, komunitetit të ekspertëve dhe përvojën e mirë europiane;
• nuk ka përfshirë sa dhe siç e kërkon një reformë e tillë të zgjedhurit vendorë;
• po kryhet pa konsultime të vërteta me qytetarët dhe komunitetet vendore por me mënyra e mjete që kërkojnë të imponojnë skenarin e njëanshëm qeveritar të një harte të re, pa një reformë të vërtetë decentralizimi;
Duke vlerësuar se reforma e decentralizimit e nisur që në vitin 1992 dhe që njohu zhvillime të mëdha konsensuale, veçanërisht në vitet 2000-2009, ka krijuar një sistem të qeverisjes vendore në tërësi funksional.
Duke vlerësuar me realizëm problemet, mosarritjet dhe dështimet dhe për këtë qëllim pas një analize të thellë dhe objektive, duke u dakordësuar se më së pari, shkaqet qëndrojnë në:
• Varfërinë dhe pamjaftueshmërinë objektive të burimeve për zhvillim, me të cilat ndeshet shumica e njësive të qeverisjes vendore në zonat me më pak mundësi zhvillimi;
• Pasaktësitë, paqartësitë dhe të metat në procesin e decentralizimit të disa prej funksioneve dhe përgjegjësive dhe mos-shoqërimin e tyre me mjetet dhe fondet e duhura;
• Konfliktin politik i cili është transferuar dhe ka ndikuar sipas rastit, si relacionet politike në qeverisjen vendore ashtu edhe në marrëdhëniet mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore,
Shpallim sot njëzëri platformën për reformën e vetëqeverisjes vendore, që përbëhet nga këto parime:
1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.
2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.
3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.
4. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.
5. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shprehim gatishmërinë tonë për të punuar së bashku me shumicën parlamentare dhe të gjithë faktorët e tjerë, bazuar mbi parimet e reformës decentralizuese, administrative dhe territoriale që shpallëm sot unanimisht e njëzëri në emër të qytetarëve që përfaqësojmë, me qëllimin për t’i dhënë përmbajtje, formë dhe jetësim kësaj reforme të rëndësishme për Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj pa dallim. /albeu.com/
Shtuar më 02/07/2014, ora 12:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori