Basha lajmëron fundin e çadrës: Nesër do kemi "republikën e re"
Vetëm një ditë para protestës së lajmëruar, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar para protestuesve në çadrën para Kryeministrisë se qëndresa do të përmbyllet sot, dhe nesër do të inaugurohet Republika e Re.

“Ju përgëzoj nga zemra për këtë rekord të ri të lëvizjes sonë qytetare dhe popullore për mbylljen e javës së 12 të qëndresës suaj 24 orëshe. 12 javë, pra 3 muaj qëndresë do të inaugurohen dhe përmbyllen sot sepse nesër kjo qëndresë do të inaugurojë Republikën e Re nga ky shesh i bashkimit më të madh të shqiptarëve.

Nesër nis rrugëtimi i bashkimit të shpresave të çdo shqiptari të ndershëm, i besimit të patundur në të ardhmen më të mirë që na pret, i vendimit të madh për të rrëzuar me forcën e bashkimit nga themelet republikën e vjetër të vesit, korrupsioni, krimit e drogës të pazareve të ndyra politike, republikën e vjetër të kupolës së vjetër politike që luajti gjithë këto vite teatrin e ndyrë në kurrizin e shqiptarëve dhe për të themeluar që nesër republikën e qytetarëve shqiptarë”, -deklaroi Basha.

Duke folur nga çadra, Lulzim Basha tha se me ‘Republikën e Re’ do anulohet ligji për arsimin e lartë si dhe do përgjysmohet çmimi i biletës së urbanit në Tiranë dhe në rrethe.

Nesër bashkohen në këtë shesh qindra dhe mijëra të reja sepse e dinë që me bashkimin e tyre dhe me vendosmërinë tyre për të mos lejuar zgjedhje të diktuara nga krimi e droga, por për zgjedhje të ndershëm në Republikën e re do ti japin rrugën arsimit dinjitoz. Ligji i Republikës së re do jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë.

Do marrë fund kaosi me maturant, pasi vetëm merita dhe preferenca do përcaktojë të drejtën e studimit. Me ne bashkohen nesër qindra e mijëra sipërmarrësish të vegjël që kanë përjetuar terror me taksat. Ata janë detyruar të mbyllin bizneset për shkak të taksave.

Nesër bashkohen me ne qindra dhe mijëra fermerë që në 4 vite përjetuan 0 investime. Nga ky shesh me votën e lire do i kthejmë fermerëve shqiptarë sigurimin e tregut që produktet e tyre. 650 mijë pensionistë i bashkohen nesër protestës tonë të cilët janë braktisur në këto vite.

Ata bashkohen me Republikën e Re që do mundësojë që pensioni i tyre të mos jetë më pak se 250 mijë lekë në muaj. Sepse paratë e pensionistëve do jenë për pensionistët dhe jo për lali fikun dhe të korruptuarit e tij. Me Republikën e Re do përgjysmojmë biletat e urbanit në Tiranë dhe në çdo qytet tjetër”- tha Basha. /albeu.com/


Shtuar më 12/05/2017, ora 12:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori