E FUNDIT/ Fituan 3.7 milion euro nga kreditë, arrestohen 7 persona në Tiranë
Basha: Krimi ka kapur shtetin
Kreu i PD, Lulzim Basha, i është përgjigjur me të njëjtën monedhë kryeministrit Rama, sa i takon bilancit të krimit ne vend. Duke na krahasuar me vendet e Amerikës Latine, Basha shton se Rama burgun e ka për popullin dhe jo për bandat.

"A do e lëmë Shqipërinë, vendin e fëmijëve tanë të kthehet në Republikën e krimit dhe të mafias?

Dy ditë më parë, Tirana u trondit nga atentatet e baronëve të drogës dhe krimit të organizuar. Kriminelë dhe policë të reparteve speciale, në krah të njëri-tjetrit, terrorizuan lagjet e kryeqytetit dhe akset kombëtare.

U bëmë si në vendet e humbura të Amerikës Latine-atentate, vrasje dhe pushtetarë të pafytyrë që luajnë në të dyja krahët. Kaluan dy ditë dhe asgjë e qartë për ngjarjen, por kapot e krimit që u zunë me arsenal armësh në makina u lanë të lirë.

Jetojmë në një shtet ligjor apo shtetin e krimit? Kjo është qeveria e standarteve të dyfishta. Burg, burg, burg...janë klithmat e përditshme të kryeministrit-por burgun e paska për popullin, jo për bandat.

Qyqarin e Lushnjes e lanë të vetëvritej në burg se dyshohej të kishte lidhur dritat e shtëpisë me të dyqanit. Babai hallexhi që punonte në dyqanin e tij, prekte sigurinë publike. Bandat që shëtisin me antitank kapen dhe lirohen.

Ata nuk prekin rendin publik. Për ta duhen më shumë fakte, më shumë prova, më shumë kohë thote Vajmedeti. A mund te lirohet dikush pa u bërë ekspertiza e armëve të gjetura?

Organizatat kriminale kontrollojne sot qeverinë, ministrat dhe pjesë të organeve të rendit. Krimi ka kapur shtetin. Drejtues të lartë të administratës dhe shtetit dhe deputetë të PS janë faktuar të dënuar e të kartelizuar si kontigjent i krimit kombëtar dhe ndërkombëtar.

E keqja don të na përpijë, por kjo nuk do të ndodhë. Do luftojmë deri sa të fitojmë. Lufta për dekriminalizimin e politikës dhe shtetit është misioni i çdo shqiptari, lufta që i'a kemi borxh Shqipërisë, të ardhmes.

T'i dalim zot vendit, në ditë të vështira është obligimi i çdo atdhetari. O sot, o kurrë, të gjithë së bashku, t'i kthejmë qytetarit sigurinë, t'i kthejmë vendit dinjitetin", përfundon Basha. /albeu.com/
Shtuar më 07/01/2015, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori