Pamje nga vendi ku ndodhi tragjedia, si u shua familja në Gramsh, motorët e viktimave ende buzë liqenit

Këta janë dy motorët me të cilët katër pjesëtarët e një familjeje shkuan dje për tu larë në liqenin e Banjës, por që nuk u kthyen më në shtëpi, pasi u mbytën.

Viktimat janë Arben Zogu, 46 vjeç, dy djemtë e tij Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, dhe nipi i tij Melsi Zogu, 20 vjeç. Katër viktimat kishin dalë nga shtëpia në orën 15:00 me dy motorë, për t’u larë në liqen, ndërsa iu kishin pohuar familjarëve se nuk do të vonoheshin shumë.

Rreth orës 17:00 familjarët e tyre i kanë telefonuar, por askush prej tyre nuk është përgjigjur. Pasi kanë ardhur në vendin e ngjarjes, familjarët kanë parë dy motorët dhe sendet e tyre personale, si telefonat dhe rrobat e tyre. Nga rrëfimet e banorëve, liqeni ka shumë gropa, të cilat janë krijuar gjatë ndërtimit të HEC-it të Banjës.

Shefi i zjarrfikëses në Gramsh, në një prononcim për mediat tha se të gjithë nuk kanë ditur not dhe se kanë humbur jetën në tentativë për të shpëtuar njëri-tjetrin.

Ai tha se ky liqen nuk është për t’u larë për ata që nuk dinë not, për shkak se është i gjithi i thellë dhe ka gropa.

“Ngjarja është shumë e rëndë. Babai me gjithë dy djemtë e vet kanë ardhur për t’u larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur i pari, ka vajtur për të ndihmuar i dyti. Të tre nuk kanë ditur not, dhe i katërti nuk ka ditur not dhe kanë mbytur njëri-tjetrin. Këtu fatkeqësisht ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e bërjes së HEC-it të Banjës dhe ato gropat janë të menjëhershme, këputen menjëherë. Dhe ata kur janë futur për t’u larë nuk e kanë ditur dhe kanë rënë direkt nëpër ato gropa dhe kështu kanë tërhequr njëri-tjetrin, kanë dashur ta ndihmojnë njëri-tjetrin…”

I pyetur nëse kishte tabela informuese për këto gropa në këtë liqen, kreu i zjarrfikëses tha: “Liqeni nuk është për tabela informuese, liqeni është i thellë i gjithë, dihet që nuk duhet të hyjnë njerëzit që nuk dinë not. Ata kanë hyrë… Faktikisht nuk lahen në liqen. Ne e patrullojmë, si shërbim zjarrfikës, edhe dje këtu kemi qenë, deri në darkë vonë se kemi një gomone që patrullojmë vazhdimisht, bëjmë edhe mësime treguese. Fatkeqësisht sot nuk erdhëm, qëlloi keq shumë keq, për ta dhe për familjet e tyre”./albeu.com/