Basha: Jepini fund përçarjes, bashkëpunoni për qytetarët
Këshilli Bashkiak ka miratuar në mbledhjen e radhës, të gjithë projekt - vendimet e propozuara. Ndër projekt - vendimet e miratuara dhe që është ndërmarrë, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë është dhe emërtimi i rrethrrotullimit të Doganës, si sheshi “Shqiponja”, që përkon edhe me vendosjen e monumentit “Shqiponja”. Ky projekt - vendim u shoqërua me debate të ashpra, kur këshilltarët socialistë e krahasuan shqiponjën me një breshkë.

“Se kush je ti që i thua shqiponjës breshkë, ti qofsh! Frymëzimi për këtë sherr dhe frymëzimi për këtë ndasi është produkt i një mendje perverse, i të njëjtës mendje perverse që mendon dhe ëndërron arkivolet në mes të Tiranës, por mendja perverse një përgjigje e ka marrë, shpresoj dhe tjetrën do ta marrë. Mos bëj diversion, mos bëj përçarje, simboli i shqiptarëve, është i financuar nga shqiptarë, i ndërtuar nga shqiptarë! Ky dekor i bën nder këtij qyteti, krijon një atmosferë festive. Në qoftë se nuk mund të ndihmonit, nëse nuk ju zë goja një fjalë të mirë, të paktën heshtni! Mos u bëni prishës të festës! Ka një person që ka mllef për këtë festë, sepse nuk e ka festuar 11 vjet. Mos iu bashkoni atij! Ky është një diskutim antishqiptar, antikombëtar, përçarës, jepini fund këtij turpi” - u shpreh Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i është përgjigjur edhe pretendimit të opozitës, se nuk u përkujtua dita e Çlirimit të Tiranës, edhe pse që në orën 09.00 të mëngjesit të 17 nëntorit u kryen homazhe e u vendosën kurora me lule te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, aty ku prehen edhe të rënët për liri. Natyrisht, në këtë ceremoni ishin të ftuar edhe të zgjedhurit vendorë të opozitës, të cilët e refuzuan pjesëmarrjen.

“17 Nëntori është një ditë historike për Tiranën dhe si për çdo ngjarje tjetër me rëndësi historike apo me rëndësi për qytetin e Tiranës, kjo Bashki ka çuar ftesa sipas protokollit. Kane zgjedhur shumë herë mos t’i përgjigjen këtyre ftesave disa këshilltarë dhe u janë përgjigjur disa të tjerë. Kjo Bashki nuk detyron këshilltarët t’u përgjigjen ftesave por procedon me nderimet e duhura, sikundër të gjithë qytetarët e Tiranës patën rastin ta shikojnë. Aty ishin së bashku veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, pushtetarë vendorë përfaqësues të Qarkut të Tiranës, të institucioneve të tjera, për të bërë homazhet tona para të rënëve në betejën e Tiranës dhe të rënëve në tërësi dhe më pas për të kaluar kohë së bashku në shoqërinë e atij grupi të çmuar që bëhet gjithnjë e më i çmua me kalimin e viteve, veteranëve që kanë mbetur gjallë nga kjo luftë. Nëse dikush edhe këtë do ta përdorë për përçarje apo për energji negative, unë nuk i ndaloj dot. E vetmja gjë që mund të bëj është të përsëris vendosmërinë time për të përçuar pozitivitet, vendosmëri dhe mesazh bashkimi e bashkëpunimi” - u shpreh Basha. /albeu.com/
Shtuar më 21/11/2012, ora 19:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori