Basha i shpreh shqetësimet e zgjedhjeve shefes së ODIHR
Nga shitblerja e votave e deri tek kërcënimi i administratës publike kanë qënë shqetësimet e ngritura nga Basha, pas një takimi të mbajtur me shefen e ODIHR.

Kryetari i PD-së, në një takim të zhvilluar me shefen e misionit të ODIHR-it, Audrey Glover, i ka shprehur kësaj të fundit shqetësimet e tij për shkeljen e standardeve në zgjedhje nga koalicioni i mazhorancës. Në një prononcim për mediat, Basha ka deklaruar se zonja Glover është njohur me shkelje të dokumentuara.

“Takimi me zonjën Glover ishte shumë produktiv. Folëm për shkeljet në procesin zgjedhor. PD është në procesin e hartimit të një raporti të detajuar të shkatërrimit të standardeve zgjedhore që kulmuan ditën e zgjedhjeve, por që kishin nisur që në fushatë. Shqetësimet tona dhe të ODIHR-it janë të përbashkëta sa i takon shitblerjes së votës, përdorimit të bandave kriminale, falsifikimit të kartave të identitetit, presionit mbi administratën publike etj”, ka deklaruar Basha.

Kryetari i partisë më të madhe të opozitës ka shtuar se “kjo shkelje e standardeve në zgjedhjet e 21 Qershorit është e dokumentuar dhe se opozita do të nisë një betejë për të zhbërë këtë sistem manipulimi”. /albeu.com/
Shtuar më 30/06/2015, ora 12:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori