Basha: Fitoren Tahirit ia dha kryeprokurorja e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në Lezhë se vendi ndodhet në një udhëkryq vendimtar, ku shumica absolute e shqiptarëve të ndershëm po varfërohet dhe po humbet të drejtat nga sundimi i një pakice të kriminalizuar dhe të korruptuar.

Basha u shpreh se Shqipëria sot nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin dhe po kap drejtësinë për të mos dhënë llogari para saj.

Akti antikushtetues i kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm është prova me e qartë - tha Basha në aktivin e Lezhës.

“Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës tek Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqëndron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, reformës në drejtësi.”- theksoi Kryetari i PD-së.

Lulzim Basha tha se skandali i Saimir Tahirit, Ministrit të Brendshëm që drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës me bekimin e kryeministrit, ka vulosor fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

“Prandaj ju them sot, se qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo.”

Në këtë udhëkryq, kur Shqipëria ndodhet në një krizë politike, ekonomike dhe morale, kreu i Partisë Demokratike ka një mesazh për çdo shqiptar që dëshiron një jetë dinjitoze në Shqipëri.

“Detyra jonë është që të bëjmë bashkimin më të madh të shqiptarëve që nga viti i themelimit tonë, të bëhemi zëdhënësit dhe përçuesit e kësaj shumice absolute të shqiptarëve dhe t’u themi se rrugëdalja nuk është as rënia në depresion, as vetëflijimi, as tragetet, as emigrimi, as avioni por bashkimi në sheshet e protestës.”

Kryetari i opozitës shpjegoi çfarë synohet me protestat dhe çfarë do të thotë krijimi i një qeverie antimafia.

“T’ia bëjmë të qartë se nuk po e bëjmë këtë që të ikë Edi Rama dhe të vijë unë me protestë, apo të jem unë kryetari i qeverisë së përkohshme, jo! Ne kërkojmë largimin e shkaktarit numër një dhe krijimin e kushteve për funksionimin e demokracisë dhe reformës në drejtësi. Ndaj kemi parashtruar nevojën për një qeveri antimafia.”

Basha tha se qeveria antimafia do të garantojë reformën zgjedhore, mosprekjen e votës dhe, përmes zgjdhjeve të lira e të ndershme, garanton një qeveri që lidh fatin e vet me atë të qytetarëve. /albeu.com/
Shtuar më 28/12/2017, ora 14:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori