Basha-Engel: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme jetike për demokracinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, z. Eliot Engel, i cili shoqërohet nga personaliteti i njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari dhe ambasadori amerikan Donald Lu.

Basha e falenderoi kongresmenin Engel për kontributin e vyer që ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe angazhimin e përhershëm për demokracinë në Shqipëri.

Kongresmeni Engel shprehu kënaqësi për ritakimin me kryetarin e Partisë Demokratike, ndërsa vlerësoi faktin që një lider i ri si z. Basha është duke sjellë një frymë të re në politikën shqiptare.

Kongresmeni Engel vlerësoi kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për lidershipin e treguar në procesin e ndryshimeve kushtetuese si dhe sinjalin pozitiv që vullneti politik jep për integrimin europian të vendit.

Basha tha se Partia Demokratike vazhdon të japë kontributin e saj dhe plotësimin e kuadrit ligjor, i cili nuk mund dhe nuk duhet të shkelë përcaktimet kushtetuese të miratuara me konsensus me 22 korrik.

Ka qenë, është dhe do të mbetet angazhim parësor i Partisë Demokratike garantimi i një drejtësie të pakorruptuar që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin.

Parakusht për këtë është një drejtësi e pakapur politikisht.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, krimi dhe droga me mbështetje shtetërore si dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht, ishin shqetësimet e ngritura nga Basha në këtë takim.

"Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë sfida me kryesore për Shqipërinë", theksoi Basha. Duke iu referuar zgjedhjeve në Dibër, kreu i demokratëve theksoi se ka një forcim të lidhjeve të krimit me politikën që po shihet në këto zgjedhje.

Në këtë kuadër, Basha ndau me nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, Z. Eliot Engel domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të ligjit të dekriminalizimit dhe ndarjen e politikës nga krimi.

Basha e njohu z. Engel edhe me situatën e përkeqësuar të kriminalitetit në vend. Shqipëria, tha z. Basha është shndërruar në hambar kultivimi të lëndëve narkotike e cila mbrohet nga drejtues të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme të cilët marrin fitimin e tyre.

Këto para dhe paratë e korrupsionit qeveritar po përdoren në zgjedhjet e Dibrës dhe nesër në të gjithë Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse mazhoranca nuk ka vullnet të realizojë reformën zgjedhore.

Për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë, theksoi kryetari i opozitës, zgjedhjet e lira e të ndershme e në veçanti shitblerja e votës, roli i krimit dhe bandave, mediat e lira janë prioriteti më madhor, së bashku me sundimin e ligjit çka nënkupton respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjeve. /albeu.com/

Shtuar më 01/09/2016, ora 14:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori