Basha e gjen "shtruar" në Durrës, por harron se sallat dhe sheshet nuk mbushen vetë

Pëlqej
Lulzim Basha është rikthyer në Durrës pas disa muajsh duke marrë pjesë në një takim me sallën plot pasi ia kishte dhënë Ferdinand Xhaferajt degën lokale të PD-së tërësisht të shkatërruar.

Por, ndryshe nga sa ndodhte në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kur Lulzim Basha do të turpërohej prej gjendjes së partisë, ai dje u rrethua nga dhjetra qytetarë, të rinj, gra dhe burra që me sa duket kanë filluar të besojnë tek alternativa e djathtë dhe se pushtetit të Ramës i është afruar fundi.

Pas riorganizimit, demokratët e Durrësit kanë bllokuar disa herë vendime të bashkisë së qytetit, të cilat janë vlerësuar si të demshme.

Organizimi kundër Dakos në këshill, tubimet e vazhdueshme në lagje te ndryshme të qytettit si edhe ajo që ndodhi me protestën kundër tarifës në Rrugën e Kombit në Kukës kanë janë kthyer në burime shprese se gjërat po lëvizin dhe diçka po ndryshon në kampin e djathtë.

Ky ndryshim duket se po fillon pikërisht nga Durrësi dhe Kukësi.

Lulzim Basha është mësuar që t'i gjejë gati gjërat, ashtu siç gjeti Bashkinë e Tiranës si edhe kryetarllëkun në PD, por pavarësisht standardeve të mbrapshta të ngurtësuara këto vitet e fundit nga politika sipas të cilave i vetmi ideal është paraja, demokratët e Durrësit kanë ditur që të organizohen sërish rreth idealit përmes punës dhe takimeve derë më derë.

Kryedemokrati duhet të mos harrojë se sallat nuk mbushen vetë, e aq mq pak sheshet e kutitë e votimit.

Ato mbushen duke mbështetur frymën e injektuar deri më tani në PD e qytetit përtej flirtimeve me Dakon për qëllime përfitimesh personale, siç demokratët durrsakë ishin mësuar të shihnin drejtuesit e tyre deri disa muaj më parë.

Shtuar më 21/07/2018, ora 23:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori