Basha: Dorëheqja e Ndokës si pasojë e nismës për dekriminalizimin
Kreu i PD, Lulzim Basha, e ka konsideruar dorëheqjen e deputetit socialist, Arben Ndoka, si një sukses të parakohshëm por të drejtpërdrejtë të nismës dyvjeçare të opozitës për dekriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë.

"Megjithëse edhe sot Edi Rama nuk e futi në kalendarin e Kuvendit ligjin për dekriminalizimin, kjo kauzë jetike për vendin nuk ndalet dhe po i jep frytet e veta ende pa ardhur në fuqi.

Dorëzimi i mandatit nga i zgjedhuri i Edi Ramës në Lezhë, Arben Ndoka, është rezultat i drejtpërdrejtë i nismës tonë 2 vjeçare të dekriminalizimit.

Autori i inkriminimit të parlamentit, të qeverisjes lokale, të posteve kyçe në zyrat publike, provoi edhe sot se në këtë përpjekje të madhe, ai është penguesi dhe kundërshtuesi i saj dhe si i tillë do të mbahet mend. Ai e bllokoi disa herë ligjin, e vonoi edhe pse u angazhua Parlamenti Europian me marrëveshjen e 24 dhjetorit, por ai nuk e ndali dot frymën.

Fryma e dekriminalizimit u rrit, u zmadhua, u bë simboli i kauzës së Partisë Demokratike dhe i qytetarëve pa dallim. Shqipëria u përket njerëzve të ndershëm e punëtorë, dhe s’mund të pranojë të sundohet nga përfaqësuesit e krimit.

Krimi në pushtet sjell vetëm varfëri e mjerim. Krimi në pushtet i bëri rezistencë me gjithë forcën nismës tonë të dekriminalizimit, por nuk e ndali dot atë. Pavarësisht pushtetit që kanë në duar, Rama dhe kriminelët e tij janë sot xhuxhmaxhuxhë politikë para frymës vigane të dekriminalizimit. Nuk ka për tu ndalur kjo frymë!

Dekriminalizimi do të bëhet për ta çliruar vendin nga trafikantët, rrëmbyesit, vrasësit. Me në krah partnerët tanë të çmuar ndërkombëtarë, bashkë me qytetarët ne do ta çojmë atë deri në fund", ka shkruar ai në Facebook. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2015, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori