Basha-deputetëve: Lerini mëritë, të bashkuar kundër PS
Kur mbeten edhe pak orë që Partia Demokratike të zyrtarizohet edhe në Parlament si opozita e ardhshme në këtë institucion, kreu i kësaj partie, Lulzim Basha po u jep deputetëve demokratë këshillat e fundit sesi duhet të funksionojë kjo parti tashmë jo si mazhorancë e Kuvendit.

Burime pranë së djathtës theksojnë se ka qenë vetë kreu i Partisë Demokratike ai që ka takuar pjesë- pjesë deputetët përfshirë këtu edhe deputetët që janë zgjedhur për herë të parë në Parlament, për tu dhënë këshillat e para për harmoninë dhe bashkëpunimin që duhet të mbizotërojë në grupin parlamentar demokrat në Parlament.

"E djathta duhet të jetë më e bashkuar se kurrë, sidomos në Parlament kundër Partisë Socialiste", mësohet se ka qenë dhe këshilla kryesore e kreut të partisë më të madhe në opozitë drejtuar deputetëtve që ai do të drejtojë në opozitë.

Duket se ky qëndrim i tij vlen për të gjithë të djathtët e opozitës, ku dashur pa padashur ata janë ndarë në klane të caktuara. Ideja e bashkimit kundër mazhorancës duket se është motoja që pritet të përdorë Basha, për të shuar edhe mëritë mes të djathtëve, të cilat u evidentuan më së shumti edhe në zgjedhjet që u mbajtën në këtë parti për zgjedhjen e kreut të ri të saj.

Gjithësesi e hëna do të sjellë mbledhjen e parë zyrtare të grupit parlamentar demokrat, e cili do të drejtohet nga vetë kreu i PD. Mbledhja do të organizohet në selinë e re të kësaj partie, aty ku më parë ka qenë dhe SHQUP. E vështirë pritet që të jetë për Bashën detyra e dyfishtë që ka duke filluar që nga e hëna, drejtimi i partisë si dhe drejtimi i bashkisë më të madhe në vend.

Gjithësesi ajo që do të përballet opozita e ardshme në parlament është pikërisht fakti se kryetari i Partisë Demokratike nuk do të jetë në Parlament, njësoj si opozita e shkuar, Partia Socialiste, ku përgjatë tetë viteve mungoi në debatet parlamentare zëri i Edi Ramës. /albeu.com/
Shtuar më 08/09/2013, ora 15:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori