Dilema e Aleancës së Atlantikut

Nga Augusto Minzolini “Il Giornale”

Përktheu Alket Goce – AlbEu

Pyetja ishte ngritur prej disa kohësh dhe nuk është e kohëve të fundit. Që kur Perëndimi vendosi ta shpëtojë Ukrainën nga agresioni rus. A mund të anëtarësohet Kievi në NATO apo jo? Dhe kur do të ndodhë kjo? Ka nga ata që predikojnë maturi pasi kanë frikë nga reagimi i Moskës, nga fjalët e Kremlinit që e konsideron këtë skenar si “shumë të rrezikshëm për Evropën”.

Madje ka nga ata që i frikësohen bombës bërthamore. Në fakt, është e vështirë të imagjinohet një gjendje “më e rrezikshme” sesa lufta që po ndodh aktualisht. Dhe për sa i përket përdorimit të armëve bërthamore, Cari rus mund të vendoste në çdo moment.

Argumenti i vetëm që do e bindte është se një moment më vonë territori rus do të goditej nga një bombë bërthamore. Për të qenë i sinqertë, ombrella atomike që do të gëzonte Kievi duke u bashkuar me aleancën veri-atlantike do ta largonte Kremlinin nga përdorimi i asaj arme vdekjeprurëse.

Një premisë që e thekson faktin se NATO ka mbi të gjitha funksionin e “parandalimit”,

të mbrojtjes: pra shërben për t’i bindur armiqtë se nuk u leverdis të sulmojnë Perëndimin.

Parë në këtë formë, është e vështirë, nëse mos e pamundur, të imagjinohet një paqe e qëndrueshme pa anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.

Është e vetmja policë sigurimi reale që mund të ketë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përballë një vendi fqinj si Rusia. Është garancia e vetme që pasi të arrihet një armëpushim, nuk do të gjendemi pas 10 vjetësh në të njëjtën situatë siç ndodhi me Marrëveshjet e Minskut.

Prandaj është e natyrshme që presidenti ukrainas të kërkojë një afat kohor konkret që do

t’i garantojë vendit të tij hyrjen në NATO brenda një kohe të caktuar. Dhe është e kuptueshme që qëndrimi i kujdesshëm i Uashingtonit atë nervozon.

Tani duhet të zbulojmë arsyet që e shtyjnë SHBA-në të vazhdojë përpara me një kujdes të madh. Nëse do të kishte vërtet një rezervë për anëtarësimin e Ukrainës, atëherë strategët në Uashington do të bënin një gabim të madh. Sepse pasi i shtynë ukrainasit të hynin në luftë, duke i armatosur deri në dhëmbë, do t’i linin pas 10 vjetësh në mëshirën e “ariut” rus që është shumë i dëshiruar të marrë hak.

Nuk është se kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën. Mjafton të mendoni për kurdët apo më së afërmi për afganët. Megjithatë gjërat do të ndryshonin nëse Biden do të donte ta përdorte hyrjen e Ukrainës në  NATO si një argument për të bindur Zelenskin për paqe me një arsyetim të këtij lloji: Perëndimi ju ka mbështetur masivisht; lufta po vazhdon prej një kohe të gjatë (pas më shumë se 1 viti në SHBA janë zgjedhjet presidenciale); ndaj nëse hiqni dorë nga një pjesë e territoreve të pushtuara nga Rusia dhe ne i japim fund konfliktit, ne ju garantojmë që nesër hyrjen në NATO.

Do të ishte një ligjërim jashtëzakonisht pragmatik, por do të kishte kuptim dhe vlerë.

Thënë këtë, është e qartë se në çdo rast, anëtarësimi i Ukrainës në NATO, do të jetë një nga gurët e themelit të çdo hipoteze për një paqe Ukrainë-Rusi. Edhe sepse nëse Shtetet e Bashkuara mund të manovrojnë disi, meqë ndodhen në një kontinent tjetër, evropianët nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë.

Ata duhet të jenë të parët që do të pyesin veten nëse nuk duan që konfrontimi ukrainas-rus të shndërrohet në një luftë tjetër tridhjetëvjeçare, e karakterizuar nga një sërë konfliktesh të pafundme. Të parët që e dinë këtë janë vendet e rajonit, nga Polonia e deri tek shtetet baltike, të cilat jo më kot po kërkojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës në aleancë. Në thelb do të riktheheshim tek logjika e “Perdes së Hekurt”, e cila sigurisht nuk ishte një parajsë por siguronte paqen ose në çdo rast një “luftë” të pa luftuar por “të ftohtë”. Me një detaj të vogël: tani ata janë rreshtuar në kampin tjetër./albeu.com


Shtuar 13.07.2023 13:41