Basha: Bashkëqeverisja me krimin dhunon standardet demokratike
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori sot pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane, ku u diskutua edhe situata në Ballkan. Kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe oligarkët e lidhur me pushtetarët, përqendrimi i pushtetit dhe pasurive publike në pak duar, kanë sjellë një situatë të rëndë ekonomike në Shqipëri, pasiguri dhe krizë ekonomike, tha Basha në fjalën e tij.

Kryetari i Partisë Demokratike solli në vëmendje numrin e lartë të azilkërkuesve nga vendi ynë që u janë drejtuar vendeve të Bashkimit Europian në vitet e fundit. Kjo situatë, tha Basha, e bën dhe më të domosdoshëm fokusimin e vëmendjes së Bashkimit Europian në Shqipëri, ku si rezultat i bashkëqeverisjes me krimin, dhunohen standardet demokratike e shteti ligjor dhe qytetarët goditen padrejtësisht.

Gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e PPE-ve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua dhe bisedoi me presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, presidentin e Komisionit Europian Jan Claud Junker, me Komisionerin për Zgjerimin Johanes Hahn, kreun e Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, kryeministrin e Spanjës, Mariano Rajoy, me kryeministrin e Norvegjise, Erna Solberg me kryeministrin e Bullgarisë, Boiko Borisov, zv/kryetarin e Parlamentit Europian Antonio Tajani, europarlamentarë David Mc Allister, presidentin e PPE Joseph Daul me sekretarin e Përgjithshëm Antonio Lopez-Isturiz, etj.

Basha ka shprehur shqetësimet për situatën e jashtëzakonshme që po kalon vendi ku trafikantët e drogës dhe të qenieve njerëzore kanë vënë nën kontroll Parlamentin, qeverinë dhe një pjesë të pushtetit vendor.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se korrupsioni ka arritur nivele alarmante dhe se paratë e qytetarëve po grabiten çdo ditë nga pushtetarët përmes tenderëve korruptivë. Ndonëse me ndihmën e Parlamentit Europian një vit më parë u arrit marrëveshja për dekriminalizimin, mazhoranca ka dëshmuar mungesë të theksuar vullneti për zbatimin e saj duke shkuar dhe më tej me kandidimin e personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish, ndërsa janë denoncuar me dhjetëra raste të tjera të emërimit në poste të rëndësishme të administratës të personave me rekorde kriminale.

Vota e lirë u cenua rëndë në zgjedhjet e pushtetit lokal ku siç vihet re dhe raporti I OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të ndershme.

Krimi i organizuar që ka kapur shtetin, ka pasoja tejet të rënda për ekonominë duke sjelle një rritje të madhe të azilkërkuesve duke u afruar me azilkërkuesit sirianë që po ikin nga lufta.

Basha u ka kërkuar bashkëbiseduesve të sjellin në Shqipëri përfaqësuesit e tyre për të parë nga afër situatën dhe si ditë për ditë mazhoranca sfidon themelet e demokracisë, shtetin ligjor, liritë dhe të drejtat e njeriut. Bashkëbiseduesit i kanë ofruar mbështetje z. Basha dhe Partisë Demokratike në sfidat e përballjes opozitare dhe të ofrimit të një alternative të re qeverisëse për Shqipërinë. /albeu.com/
Shtuar më 22/10/2015, ora 16:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori