Barroso tek Krimet e Rënda: Fuqizimi i gjyqësorit me rëndësi kritike
Në vijim të vizitës së tij në Tiranë, Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso vizitoi pasditen e sotme edhe Gjykatën e Krimeve të Rënda duke kërkuar që kjo Gjykatë të bashkëpunojë me Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të aseteve, pasi ajo nuk mund të funksionojë më vete.

Ai bëri të ditur se është informuar se kompetencat e kësaj gjykate janë zgjeruar duke përfshirë edhe korrupsionin dhe hetimin e zyrtarëve të lartë.

“Ne besojmë se që gjykata të jetë efikase duhet bashkëpunim i përforcuar mes institucioneve. Gjykata duhet të punojë dhe bashkëpunojë me Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të aseteve. Ajo nuk mund të funksionojë më vete. BE është vërtetë krenar që ka kontribuar në këtë proces të rëndësishëm dhe kyç për Shqipërinë dhe kjo ndihmë në fushën e sundimit të ligjit dhe sundimit të së drejtës është dëshmi e qartë e rëndësisë që ne i japim këtyre çështjeve si dhe integrimit të Shqipërisë në BE” u shpreh Barroso

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se duhet kaluar në një fazë ku drejtësia të jetë një sfidë e fituar, falë së cilës ne do të bëhemi pjesë e BE. Ai shtoi se Shqipëria, me këtë nivel në drejtësi nuk mund të bëhet pjesë e BE.

“Është një sfidë e të gjithëve dhe një reformë e shoqërisë dhe e të gjithë aktorëve dhe faktorëve pa të cilët sistemi nuk mund as të ndryshojë e as të funksionojë. Kjo reformë është një sfidë që ne do ta fitojmë së bashku falë të gjithë atyre pjesëve që pa asnjë dyshim, do të plotësojnë mozaikun e kontributeve në këtë reformë, si një proces ku askush nuk do të bëjë për ne, atë që ne do të bëjmë për gjeneratat e tjera dhe ku drejtësia të mos kthehet në pazar dhe që çekiçi i gjyqtarit të mos jetë një armë për të marrë jetë në bashkëpunim me kriminelë dhe vrasin njerëz, por të jetë instrumenti përmes së cilit populli bën dhe merr drejtësi”, tha Rama

Kryeministri u shpreh se hapat duhet të jenë të shpejtë dhe të vendosur për tu shkëputur nga kjo pjesë e drejtësisë.
Shtuar më 30/06/2014, ora 17:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori