Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta vlerësoi sot kontributin e Presidentit të
Komisionit Evropian z. José Manuel
Barroso për punën e palodhur të
Komisionit Evropian në mbështetje të Shqipërisë dhe axhendës së saj evropiane, duke theksuar njëkohësisht se Kuvendi do të jetë platforma e dialogut politik dhe gjithëpërfshirjes, në funksion të reformave kyçe për të cilat ka nevojë Shqipëria dhe qytetarët e saj.
Gjatë takimit që Presidenti i
Komisionit Evropian pati me Metën, ai u shpreh se pas miratimit të statusit të vendit kandidat, Bashkimi
Evropian do t’i kushtojë gjithnjë e më tepër vëmendje Shqipërisë dhe ecurisë së axhendës së saj evropiane. Në këtë kontekst, z.
Barroso vlerësoi se roli i Kuvendit dhe aktiviteti parlamentar merr një dimension të rëndësishëm të ardhmen evropiane të vendit.
Kryetari Meta dhe Presidenti
Barroso diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet në rajon, ku u evidentua roli i vazhdueshëm konstruktiv i Shqipërisë në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik rajonal si dhe rëndësia e forcimit të perspektivës evropiane për të gjithë vendet e rajonit.
Pas takimit,
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta e ftoi Presidentin e
Komisionit Evropian z. José Manuel
Barroso të mbajë një fjalë përshëndetëse në Seancë të Posaçme Plenare.
Shtuar më 30/06/2014,
ora 16:03