Baronesha Ashton takon presidentin Nishani
Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton e cila ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare ka nisur sot axhendën e takimeve me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Takimin e parë Ashton e ka zhvilluar me presidentin e Republikës, Bujar Nishani ndërsa në orën 11:40 ajo do të takohet me kryeministrin Sali Berisha.

Gjithashtu Baronesha Ashton do të takohet në orën 12:30 me kryesocialistin Edi Rama ndërsa në orën 13:10 zyrtarja e lartë do të japë një konferencë për shtyp.

Tema kryesore e takimeve të kryediplomates europiane pritet të jetë perspektiva europiane e vendeve ballkanike.

Vizata e Ashton vjen në një kohë, kur klima politike në Shqipëri është nxehur për shkak të debatit për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së.

Ndërkohë nesër Tiranën do ta vizitojë edhe diplomati amerikan, Jonathan Moore së bashku me dy raporterët e Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco.

Moore është drejtori i Drejtorisë për Euroazinë, në Departamentin Amerikan të Shtetit. Nga ana tjetër sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës dy raportuesit Evans dhe Petrenco do të jenë në Tiranë nga data 17 prill deri më 19 prill dhe do të kenë takime me presidentin, kryeministrin, Ministrin e Drejtësisë dhe disa komisione parlamentare.

Bisedime do të zhvillohen gjithashtu edhe me delegacionin e përhershëm të parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me lider të partive politike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Diskutimet do të fokusohen në veçanti në përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare, progresit të bërë nga Shqipëria përsa i përket kërkesës për marrjen e vendit kandidat në Bashkimin Europian, reformën në autoritetin rregullator të medias dhe çështje të minoritetit.
Shtuar më 16/04/2013, ora 11:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori