Gjendet i pajetë një amerikan në Sarandë, dyshimet e para

Një shtetas amerikan, është gjetur i pajetë mesditën e sotme në apartamentin e tij në Sarandë.

Mësohet se viktima është 70-vjeçari Robert Hood, nga Alaska.

Prej tri vitesh, ai jetonte i vetëm në një apartament me qira, në Lagjen nr.1 në qytetit bregdetar. Prej tri ditësh, 70-vjeçari nuk po u përgjigjej telefonatave të njërit prej miqve të tij. Kjo ka shqetësuar mikun e tij, i cili njoftoi Policinë e Sarandës. Kjo e fundit së bashku me shërbimin zjarrfikës dhe mjekët hynë në apartament, ku e kanë gjetur të pajetë në shtratin e tij 70 -vjeçarin.

Për shkak të situatës së koronavirusit, trupi i tij është nisur drejt Tiranës për ekspertizë mjeko–ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Sipas policisë, në trupin e të ndjerit nuk janë vënë re shenja dhune. As në banesë nuk është parë ndonjë shenja e dyshimtë që të bën të mendosh për ndonjë akt kriminal.


Shtuar 8.04.2020 19:45