Bamir Topi "shpërthen" ndaj akuzave të Berishës: Shpifarak! Gati për luftë me Amerikën
Kreu i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi, ka reaguar pas akuzave të bëra në adresë të tij nga ish-kryeministri Sali Berisha në emisionin “Studion e Hapur” ditën e djeshme.

Në një prononcim për gazetën “TemA”, ish-presidenti i konsideron sulmet e Berishës si shpifje që kanë për qëllim nxitjen e trazirave në vend.

“Në të vërtetë po shikoja një ndeshje futbolli, një gjë shumë më e këndshme, se sa deklarimet e mbushura me të pavërteta dhe agresivitet, tipar kryesor i karakterit të tij primitiv. Ai është i gatshëm për luftë qoftë dhe me Amerikën, kur gjërat nuk i shkojnë në interesin personal.

Shpifarak universal, i pakonfigurueshëm nësindromën për pushtet të përjetshëm dhe cilësitë patologjike për të qenë zot i jetës së shqiptarëve.Padyshim i pranishëm dhe aktiv në të gjitha ngjarjettraumatike tëtranzionit pa fund të Shqipërisë, Sali Berisha vazhdon të trazojëujrat e turbullta ku padyshim është“kampion noti”duke turbulluar situatën politike, institucionale dhe duke cenuar raportet me partnerët.

Fakti që fjalët e tij merren seriozisht tek opozita, dëshmon se është ende kryetar de facto i opozitës,” u shpreh Topi.

Më tej deklaratën e Berishës ku thotë që ka propozuar emrin e tij për të qenë në krye të shtetit, Topi e komenton se rekomandimi i ka ardhur nga grupi parlamentar dhe jo nga ish-kryeministri.

“Citoi në mënyrën më të pavërtetë se më nominoi për President për të kënaqur komunitetin tiranas që edhe ata të kishin një përfaqësues të lartë. Opinioni publik e ka në memorie që zyrtarisht në kundërshtim me frymën e grupit Parlamentar të PD-së, ai zgjodhi një njeri tjetër, duke thyer propozimin publik të tij për kandidimin tim.

Ka qenë presion i grupit në një mase dërmuese dhe frika për humbjen e mazhorancës ato që e detyruan Sali Berishën të pranonte,” nënvizon ish-presidenti.

Topi ndalet edhe tek akuzat e bëra mbrëmë për shkatërrimin e sistemit të drejtësisë për të cilat thotë se emërimet në drejtësi ai thjesht i ka propozuar pasi miratimi ka qenë në dorë të mazhorancës së asaj kohe.

“Kushtetuta ka parashikuar qartë se për të gjitha rastet që lidhen me emërtesat në institucionet e Drejtësisë, Presidenti vetëm propozon mbi njerëzit që plotësojnë detyrimet kushtetuese, ndërsa miratimin ose jo e ka pasur në dorë mazhoranca e Sali Berishës.

Çfarë ka dashur e ka rrëzuar, çfarë ka dashur e ka pranuar. Rolin deçiziv për ligjet e drejtësisë dhe emërimin në mënyrë të qartë e ka Parlamenti dhe specifikishtmazhoranca e radhës. Për ti kujtuar së fundi Sali Berishës se Shqipëria nuk është Republikë Presidenciale por parlamentare, ndaj të marrë përgjegjësitë që i takojnë për krizën e sistemit dhe pasojat që ndihen sot.

Formimi i tij totalitar, dëshira për të kontrolluar gjithçka dhe zullumet pa fund gjatë karrierës politike, e kanë bërë rrënuesin e vërtetë në sistemin e drejtësisë dhe të institucioneve demokratike në përgjithësi,”gjykon Bamir Topi.

I pyetur lidhur me protestën e opozitës dhe propozimin për një qeveri teknike që mund të garantojë cilësinë e zgjedhjeve parlamentare, Topi argumenton se kjo është një çështje shumë më e thellë.

“Në princip askush nuk mund të frenojë vendimet e opozitës për të protestuar dhe për të dhënë opsionet politike dhe me aq sa kam parë, demonstrimi apo ngritja e çadrës është pranuar pa asnjë problem.

Çështja që diskutojmë është shumë më e thellë, e cituar pafund nga FRD-ja dhe unë personalisht se dy aktorët kryesorë akuzojnë për vjedhje zgjedhjesh. E kemi parë në vitin 2009 kur Sali Berisha ishte në pushtet, e shohim sot në anën e kundërt kur janë në opozitë,”pohon ish-presidenti.

Sa i përket rreziqeve që mund të vinë nga cilësia e ulët e zgjedhjeve, Topi vendos theksin tek ndryshimet kushtetuese të bëra më herët. Ai sugjeroi komisione jo partiake për të ribërë kodin zgjedhor.

“I kujtoj Sali Berishës ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2008, ku futi në krizë besimin për zgjedhje të lira dhe korrekte, duke i bërë komisionet me përfaqësues militantë, grabitës dhe manipulues të rezultateve zgjedhore.

I kujtoj të gjithë atyre që në emër të interesave partiake, dhunuan votat e të pambrojturve duke prodhuar institucione me probleme të mëdha.

Pra në një farë mënyre po merr frytet e një peme që ish-kryeministri e mbolli vetë. Edhe në këtë çast i drejtohem komisionit të reformës zgjedhore t’i kthehen punës për të korrigjuar ligjin aktual që prodhon padrejtësi. Atje është vendi për tu ribërë ligji, të kemi komisione jo partiake dhe të mbahet krimi larg zgjedhjeve,” thotë në fund Topi./albeu.com/
Shtuar më 22/02/2017, ora 20:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori