Bamir Topi rinovon kupolën e ushtrisë
Albeu.com
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje rinovimin e plotë të kupolës së ushtrisë shqiptare.Shkarkohet edhe zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Emërohen komandantët e rinj.Pas emërimit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, kreu i shtetit ka shkarkuar numrin dy të Forcave të Armatosura, duke emëruar zv/shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm, si dhe ka dekretuar disa emërime të reja. Pak kohë pas shkarkimit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxhës dhe zëvendësimit të tij me gjeneralin Maksim Malaj, Presidenti Topi ka plotësuar dje mozaikun e ndryshimeve në ushtri, duke firmosur dekretet e emërimit dhe shkarkimit të disa funksionarëve të lartë. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka dekretuar dje shkarkimin e zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral brigade, Agim Lala, dhe ka emëruar në këtë post gjeneral brigade, Zyber Dushku. Ky dekret është bazuar në mbështetje të neneve 93 dhe 169, pika 3 e Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 8 e ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Ndërkaq, gjeneral Agim Lala është emëruar komandant i Forcës së Bashkuar të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Po dje, Presidenti i Republikës ka firmosur dekretin për emërimin e komandantit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, gjeneral brigade Viktor Bërdo. Kjo, në mbështetje të neneve 93 dhe 169, pika 3 e Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 8 e ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Presidenti Topi ka dekretuar dje lirimin e komandantit dhe zv/rektorit të Universitetit Ushtarak "Skënderbej", gjeneral brigade Viktor Bërdo. Vendimi është marrë në mbështetje të neneve 93 dhe 169, pika 3 e Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 8 e ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa gjeneral Vladimir Qirjazi është emëruar në postin e Komandantit të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Dy muaj më parë, Presidenti i Republikës, i cili është dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës, u dha gradën e lartë të gjeneralit pesë ushtarakëve të njohur, të cilët u emëruan në postet më të larta të Forcave të Armatosura Shqiptare. Pas tragjedisë së Gërdecit, nuk ishte vetëm sektori politik i Ministrisë së Mbrojtjes që pësoi ndryshime të thella, por edhe kupola e Forcave të Armatosura. Në pak muaj, u shkarkuan thuajse të gjithë drejtuesit e lartë të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët u zëvendësuan me ushtarakë të rinj. Tronditja e kreut të ushtrisë shqiptare, është në fakt lëkundja më e fortë që është ndjerë në Forcat e Armatosura, që nga koha e krizës së vitit 1997, ku dhe u rinovua i gjithë kreu i ushtrisë.
Shtuar më 03/08/2008, ora 15:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori