Vdes mësuesja 46-vjeçare në spitalin e Pogradecit

Një mësuese 46 vjeçare ka humbur jetën në Spitalin e Pogradecit. Ajo është dërguar nga familjarët në urgjencë rreth orës 19 pasi nuk është ndjerë mirë.

Por më vonë gjendja e saj është përkeqësuar dhe ka ndërruar jetë. Burime bëjnë me dije se familjarët kanë akuzuar mjekët dhe infermierët e urgjencës për mjekim të gabuar.

Trupi i 46 vjeçares Anila Bazelli, është transferuar në morgun e qytetit por autopsia do të kryhet nga ekspertë nga Tirana, nisur edhe nga pretendimet e familjarëve.

Ka qenë prokuroria ajo e cila ka kërkuar ekspertizën nga kryeqyteti për të zbardhur rrethanat e vërteta të vdekjes së mësueses. Mësohet se ajo nuk vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet rreth rastit.


Shtuar 28.09.2021 22:00