Balla komenton protestat nga Gjermania: Këtu paqësore, në Shqipëri më qëllim prishjen e imazhit të vendit
Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka krahasuar protestën e qytetarëve gjerman të cilët kanë dalë në rrugë duke shprehur qëndrimin e tyre pro Europës, pak ditë para se kjo e fundit të zhvillojë zgjedhjet për PE dhe asaj të opozitës shqiptare e cila kërkon largimin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Balla shkruan në rrjetet sociale se qytetet kryesore të Gjermanisë janë mbushur me qytetarë të cilët sipas tij mbështesin Europën e bashkuar dhe janë paqësore ndërkohë që sipas tij, në Shqipëri, disa politikanë të korruptuar thërrasin dhe mbledhin në protesta militantë, punonjës të bashkive ku partitë e tyre qeverisin, përfshirë persona të paguar, me prirje vandale, me qëllim dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.

Balla shkruan më tej se, protestat e dhunshme të opozitës janë kundër Reformës në Drejtësi, institucioneve dhe integrimit të vendit.

Postimi i plotë:

Sot në Gjermani me dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugët e qyteteve kryesore duke ngritur zërin e tyre në mbështetje të Evropës së Bashkuar. Protestat në formën e marshimeve paqësore kundër nacionalizmit u mbajtën në shtatë qytete të mëdha të vendit: në Berlin, Frankfurt, Hamburg, Këln, Lajpcig, Mynih dhe Shtutgart.

“Një Europë për të gjithë: zëri juaj kundër nacionalizmit”, ishte mesazhi i protestës, me marshimet e mbështetura nga më shumë se 100 organizata të shoqërisë civile dhe parti të ndryshme politike.

Ndërsa në Shqipëri disa politikanë të korruptuar thërrasin dhe mbledhin në protesta militantë, punonjës të bashkive ku partitë e tyre qeverisin, përfshirë persona të paguar, me prirje vandale, me qëllim dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.

Protestat e opozitës në Shqipëri, të cilat në javët e fundit janë shoqëruar me dhunë dhe sulme kundër institucioneve, janë kundër Reformës në Drejtësi, si kusht themelor në rrugën Europiane të vendit tonë, janë kundër institucioneve demokratike të zgjedhura me votë, janë përpjekje të dështuara në prag të vendimit historik të Këshillit Europian për fillimin e bsedimeve për anëtarësim mes BE🇪🇺 dhe Shqipërisë🇦🇱 + Maqedonisë së Veriut🇲🇰. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2019, ora 22:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori