Balla: Kemi prova ndaj Berishës dhe djalit, s'keni parë gjë akoma
Pas dështimit të marrjes së dëshmisë nga Shkëlzen Berisha në Komisionin hetimor për CEZ, kreu i këtij komisioni Taulant Balla deklaroi se kjo çështje nuk mbyllet këtu por do t’i shkohet deri në fund.

uke folur para gazetarëve, deputeti Balla u shpreh se sekseri Nue Kalaj së bashku me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij Shkëlzen Berisha, është një dakordësi për të shmangur dëshmitë e tyre përpara këtij komisioni.

Kjo pasi sipas Ballës, ekzistojnë prova të forta që mes këtyre tre personave janë kryer afera korruptive lidhur me privatizimin e OSHEE dhe marrëveshjen me CEZ.

Për kreun e Komisionit Hetimor, është hera e parë që puna e një komisioni parlamentar është e vendosur të shkojë deri në fund, duke shtuar se kanë prova të rënda kriminale ndaj tre dëshmitarëve të lartpërmendur.

“Shuma është e madhe, gati 7 milionë euro. Personi të cili po hetojmë, është një person, i quajtur Nue Kalaj. Personi nga të dhënat zyrtare dhe emailet, tregon se ka qenë i lidhur shumë me ish-kryeministrin Sali Berisha. Në një e-mail përmendet edhe emri i Shkëlzen Berishës. Ndaj ishte e nevojshme edhe dëshmia e tij. Tani për fat të keq, Nue Kalaj nuk paraqitet në Komision Hetimor, Sali Berisha ka dhënë një dëshmi e cila është e pavlefshme pasi nuk ka kryer betimin, dhe personi tjetër Shkëlzen Berisha nuk pranon të bëjë betimin, dhe kjo bën të pavlefshme dëshminë. Unë mendoj se këta të tre kanë një dakordësi për të mos furnizuar komisionin me informacionin e kërkuar. Unë dua të them që ne do të insistojmë të marrim dëshmitë e Nue Kalajt dhe Shkëlzen Berishës. Për herë të parë në këto 25 vjet, nuk ka pasur një Komision tjetër parlamentar për t’i shkuar gjërave deri në fund. Ne veprën e krimit e kemi gjetur, janë paratë. Ryshfetin e kemi gjetur. Tani kemi gjetur edhe sekserin, që është Nue Kalaj, dhe nuk hezitoj ta quaj sekser të rëndomtë për aq kohë sa ai nuk vjen të dëshmojë në komision. Tani zoti Kalaj nuk është larg, vetëm disa km larg nga Tirana sepse ndodhet në Prizren. Ai nuk ka paraqitur asnjë aryse për mosparaqitjen. Ne kemi prova të paimagjinueshme, s’keni parë gjë akoma.” U shpreh Balla./Albeu.com/
Shtuar më 01/02/2017, ora 19:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori