Balla i përgjigjet Metës, i kujton marrëveshjen që nënshkroi me Berishën në 2009-ën
"Sali Berisha, Lulezim Basha dhe Ilir Meta ishin publikisht tre avokatët kryesorë të Marrëveshjes, kundër interesave të Shqipërisë..."

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, i është përgjigjur presidentit Meta në lidhje me deklaratat e këtij të fundit se ai i qëndron vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e detit me Greqinë.

Balla i kujton presidentit se ai ishte pjesë e qeverisë Berisha në kohën kur kjo marrëveshje u nënshkrua nga qeveria shqiptare por që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Postimi i plotë i Ballës:

KUJTESË PËR VENDIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE QË HODHI POSHTË MARRËVESHJEN E LULEZIM BASHËS PËR DETIN

MË 27 prill 2009, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare, Lulzim Basha, në atë kohë Ministër i Jashtëm, vasal i bindur i Sali Berishës, firmosi marrëveshjen detare me Greqinë, nga e cila Athina përfitonte 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon të Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua publikisht, por teksti dhe hartat e marrëveshjes u mbajtën të fshehta.

Në tetor të 2009, një muaj pas zyrtarizimit të qeverisë Berisha-Meta. GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË SOCIALISTE i kërkoi Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e marrëveshjes si antikombëtare. Në 26 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi paraprakisht kërkesën tonë, ku vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare dhe legjitimimin e PS-së si palë ankimuese.

Seancat në Gjykatën Kushtetuese zgjatën deri në prill të vitit 2010, ndërsa u karakterizuan nga debate dhe polemika të forta. Për të mbrojtur marrëveshjen e me Greqinë, Sali Berisha kishte angazhuar si avokate të qeverisë së tij Marsida Xhaferllarin, të cilën Ilir Meta si President me një dekret të paligjshëm e ka pseudo-shpallur gjyqtare kushtetuese.

Sali Berisha, Lulezim Basha dhe Ilir Meta ishin publikisht tre avokatët kryesorë të Marrëveshjes, kundër interesave të Shqipërisë. Partia Socialiste e kundërshtoi publikisht paktin detar dhe përfaqësohej në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të Grupit Parlamentar, të ndihmuar edhe nga koloneli nderuar Myslym Pasha dhe ekspertë të tjerë.

Ajo Marrëveshje u rrëzua! PARTIA SOCIALISTE MBETET GJITHMONË NË KRAHUN E DUHUR TË HISTORISË
Shtuar më 27/08/2020, ora 16:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori