Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant
Balla, ka reaguar ndaj platformës së Ben Blushit, duke e akuzuar se po dëmton PS-në dhe qeverisjen njësoj si Sali Berisha.
Përmes një postimi të bërë në profilin e tij në Facebook,
Balla shkruan se Partia Socialiste nuk ka nevojë për modelin që ofron
Blushi, ndërsa do të jenë forumet e kësaj partie që do të vendosin për gjithçka.
"Po ashtu është i vetmi
deputet që s’ka mbajtur asnjë lidhje me socialistët e zonës ku ka dalë
deputet dhe i vetmi
deputet që ngre zërin në Parlament vetëm për t’u bashkuar me korin e Saliut kundër qeverisë. Ben
Blushi thotë se di ta bëjë më mirë punën se të gjithë ne dhe duhet të jetë kryetari ynë, por deri tani ka treguar vetëm se di ta dëmtojë punën tonë më shumë nga të gjithë ne! Zor se PS-ja ka nevojë për modelin që na ofron Ben
Blushi. Megjithatë, në PS ka vend për të gjithë dhe ka forume që vendosin për të gjitha", shkruan
Balla.
Sipas tij, propozimet që
Blushi ka bërë për ndryshime statutore tregojnë se ai nuk e njeh
statutin, pasi shumë prej tyre ekzistojnë në dokumentin e Partisë Socialiste.
"I pashë 'propozimet' që kolegu ynë Ben
Blushi tha se janë propozimet e tij për ndryshime në
Statutin e Partisë. Nuk po merrem me formën dhe përmbajtjen e tyre sot. Por nuk mund ta fsheh që jam i habitur, po jo edhe aq shumë, që Ben
Blushi nuk e paska lexuar deri më sot
statutin aktual të partisë sonë. Treçereku i atyre që shoku
Blushi kërkon në gjoja platformën e tij për reformim të PS-së, janë në
statutin aktual të partisë. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që
Blushi e ka shkelur
statutin më shumë se çdo
deputet që unë njoh, sepse është i vetmi
deputet që ka braktisur fushatën e zgjedhjeve dhe ka dalë hapur kundër kandidatëve të Partisë Socialiste", shkruan
Balla.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist ishte i pari në Partinë Socialiste që reagoi ndaj qëndrimeve kritike të Ben Blushit ndaj mungesës së zgjedhjeve të kreut të partisë, por dhe reformave të qeverisë së majtë.
"E pashë letrën e hapur të Blushit, për një socialist që mund të isha dhe unë. Ben
Blushi na ka mësuar me zakonin e tij që na del kundër kur mendon se prish më shumë punë. Me atë letër u drejtohej socialistëve për të thelluar një sulm të nisur ndaj qeverisë sonë, në prag të fushatës elektorale. Kishte mbledhur të gjitha pikëpyetjet e jetës së vet politike dhe kërkonte llogari për ato nga qeveria jonë, që s’i ka mbushur akoma dy vjet. 90 për qind të pyetjeve që kishte rreshtuar
Blushi, i kemi dëgjuar përditë në formë akuzash nga Saliu. Një tufë problemesh të mbartura 25 vjet dhe një tufë gënjeshtrash të lidhura bashkë me problemet, për ta bërë sa më blozë imazhin e qeverisë", e mbyll postimin e tij
Balla. /albeu.com/
Shtuar më 03/03/2016,
ora 08:15