Shteti në “ajër”, mbi 300 milionë vetëm për bileta gjatë 2022

Institucionet shtetërore 2.5 – fishuan shpenzimet për bileta ajrore gjatë vitit 2022. Sipas të dhënave zyrtare shuma totale e shpenzuar gjatë vitit që shkoi arriti në rreth 302.5 mln lekë, ndërkohë që në vitin 2021 vlera totale e tenderëve për blerjen e biletave ishte 124 mln lekë. Në total, për vitin 2022 përfunduan me fitues 1959 tenderë, ndërsa një vit më parë 735 procedura.

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik rritja e numrit të procedurave lidhet me hapjen e negociatave për anëtarësin në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin e takimeve shpjeguese dhe takimeve dypalëshe në Bruksel në muajt shtator – dhejtor 2022, që janë dhe mujat me numër më të lartë procedurash.

Gjithsesi, pavarësisht këtij shpjegimi sipas të dhënave zyrtare edhe në muajt mars – qershor janë zhvilluar një numër i lartë i tenderëve për blerjen e biletave ajrore. Ndërkaq, edhe viti 2023 duket se do të shënojë shpenzime të larta për blerjen e biletave ajrore.

Kjo pasi vetëm Këshilli i Ministrave dhe 7 ministri kanë planifikuar të shpenzojnë 70.5 mln lekë për këtë qëllim. Kjo shifër nuk përfshin shpenzimet që parashikohet të kryejë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ajo e Shëndetësisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Po ashtu, në shifrën prej 70.5 mln lekë përfshihen vetëm ministritë, dhe jo institucionet e varësisë, që gjithashtu planifikojnë miliona lekë shpenzime për udhëtime ajrore jashtë vendit. Po ashtu, në këtë vlerë nuk përfshihen bashkitë, që po ashtu kanë shpenzimet e tyre për këtë qëllim. /Scan


Shtuar 18.03.2023 11:36