“Qëndroni të bashkuar”, Hashim Thaçi çon disa porosi nga Haga

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që ndodhet në Hagë, ka dhënë një intervistë me shkrim për Nacionalen. Kjo intervistë po transmetohet në emisionin Pressing të T7.

Në këtë intervistë, ish-presidenti i vendit pohon se vëtëm të bashkuar mund t’i tejkalojmë sfidat, duke çuar porosi që të qëndrojmë të bashkuar.

“Unë vazhdoj të besoj se vetëm duke qëndruar të bashkuar si popull, mund t’i tejkalojmë sfidat. Të bashkuar ia dolëm në procesin e lirisë dhe pavarësisë, e ashtu duhet të vazhdojmë edhe në fazën e integrimit euro-atlantik. Ky unitet qytetar dhe institucional duhet të mishërohet në vlerat perëndimore, në kuptimin e ecjes përpara, e jo bashkim në kauza të gabuara. Jo të kalohet koha së bashku duke reflektuar për ballafaqimet e së kaluarës, por të hidhet shikimi kah e ardhmja”, është shprehur ish-presidenti Thaçi.

Sipas tij, uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit.

“E kaluara jonë nuk është sfiduese, ajo është e fituar, është shumë krenare dhe me integritet, atë nuk mund dhe nuk duhet të tentojmë ta ndryshojmë. Sfidat dhe zgjidhjet i kemi përpara. Njerëzit duan zhvillim, vende pune, mirëqenie, edukim cilësor, shërbim shëndetësor, ambient më të pastër, etj. Duhet kujdes që, duke u marrë shumë me të kaluarën të mos vonohet, rrezikohet apo edhe të humbet e ardhmja. Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale”, ka thënë Thaçi.

Ish-presidenti Thaçi vlerëson se “çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar”.

Prandaj ai thotë se “përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar”./gazetaexpress


Shtuar 4.09.2023 21:26