Babai i dy fëmijëve humb jetën në sherrin për nipin, dëshmitarët: Pamë tmerr…
Pasditën e të premtës në Bathore pas një sherri në një lokal mbeti i vrarë një 35 vjeçar nga Mati, babai i tre fëmijëve të mitur.

Pavarësisht dërgimit me urgjencë në spital dhe ndërhyrjes së specializuar ai nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra nga plumbat.

Viktima është Aleksandër Barlika, 35 vjeç, baba i tre fëmijëve të mitur, pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja të premten në Tiranë.

Ndërsa vëllai i tij, Altin Barlika, 38 vjeç, që po ashtu mbeti i plagosur gjatë përleshjes, është arrestuar dje në spital nga Policia e Tiranës, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.

Disa minuta pasi ndodhi ngjarja pasditen e së premtes, Policia arrestoi një 16-vjeçar, Ledjan C., të dyshuar për plagosjen e dy vëllezërve. Ndërsa dje është vënë në pranga edhe babai i tij, Rasim Cani, 49 vjeç, i akuzuar për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim me të birin dhe plagosje të lehtë me dashje, shkruan Panorama.

Policia ka arrestuar gjithashtu edhe 16-vjeçarin Klaudio P., nipi i viktimës (djalin e motrës), për plagosje të lehtë dhe moskallëzim krimi.

Policia tha se në vendin e ngjarjes ka gjetur dy armë zjarri, një pistoletë “TT”, me një krehër me 8 fishekë dhe një armë gjahu, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

KONFLIKTI

Konflikti mes dy familjeve, që përfundoi me një të vrarë, një të plagosur dhe katër të arrestuar, ka nisur paraditen e së premtes mes dy adoleshentëve, Ledjan C. dhe Klaudoi P.. Dy 16-vjeçarët, të dy banues në Bathore, dhe që janë nxënës në të njëjtën shkollë në Kamzë, ishin konfliktuar për motive banale, që kishin nisur me fyerje të ndërsjella ndaj njëri-tjetrit.

Por, duke mos e mbyllur me kaq sherrin e lindur mes tyre, adoleshentët kanë futur në konflikt edhe familjarët. Klaudio ka shkuar te dy dajat e tij, Aleksandër dhe Altin Barlika, ndërsa Ledjani i ka thënë të atit dhe vëllait të tij të madh. Në kohën që Klaudoi po bisedonte në lokalin e dajës së tij, Aleksandrit, aty ka mbërritur shoku i tij i shkollës, i shoqëruar nga babai dhe vëllai.

Policia tha se të dyja palët kanë qenë të armatosur. Ata të familjes Cani, me origjinë nga Dibra, kishin marrë me vetë një çifte, ndërsa dy vëllezërit Barlika nga Mati, kishin një pistoletë “TT”. Por fillimisht, sipas Policisë, mes 6 personave ka pasur një përplasje fizike, në lokalin që ndodhet në lagjen nr.1 të Bathores.

Më pas, të dy palët kanë nxjerrë armët. Por gjatë përplasjes është shkrepur vetëm njëra armë, çiftja që Ledjani ia ka marrë nga dora të atit, duke qëlluar në drejtim të dy vëllezërve. Policia tha dje se Altin Barlika, tashmë i arrestuar, ka nxjerrë nga brezi pistoletën, por nuk ka arritur ta shkrepë, pasi ka mbetur i plagosur.

AUTORI

Patrullat e Komisariatit nr.5 kanë arritur të ndalojnë 16-vjeçarin Lejdan C., teksa po largohej në këmbë në drejtim të shtëpisë, në gjendje shumë të rënduar psikologjike. Menjëherë sapo është përballur me forcat e rendit, adoleshenti ka pranuar autorësinë, duke u shprehur se kishte qëlluar ndaj vëllezërve në shenjë hakmarrjeje.

Megjithatë, ai ka tentuar që të mos e përfshijë në ngjarje babanë e tij, duke marrë vetë përgjegjësinë e krimit. Gjatë marrjes në pyetje në ambientet e Komisariatit, adoleshenti është shprehur se disa orë para ngjarjes, dy vëllezërit e kishin vënë në lojë, e kishin tallur, fyer, madje njëri prej tyre e kishte qëlluar me shpullë. Sipas tij, kjo kishte ndodhur pasi ai ishte konfliktuar me nipin e tyre, me të cilin është në të njëjtën shkollë.

Dëshmitarët

Sherri mes 6 personave që u mbyll tragjikisht me vdekjen e njërit prej vëllezërve të plagosur pasditen e së premtes, është parë nga dhjetëra dëshmitarë, kalimtarë e klientë në lokalin e viktimës. Shërbimet e Komisariatit nr.5 kanë shoqëruar disa prej dëshmitarëve, për të marrë deklarimet e tyre, në mënyrë që të zbuloheshin rrethanat dhe autorët e përfshirë në konflikt.

Dëshmitë e tyre çuan në zbulimin e personave të tjerë që u përfshinë në ngjarje, pasi deri në orët e vona të mbrëmjes, Policia kishte vetëm një të arrestuar, i cili nuk tregonte asnjë emër tjetër, duke marrë vetë gjithë përgjegjësinë.

Por dëshmitarët deklaruan në Polici se në konflikt kishin marrë pjesë disa persona dhe sherri kishte qenë shumë i dhunshëm. Sipas tyre, palët ishin përleshur fizikisht, duke qëlluar njëri-tjetrin me sende të forta, çfarë gjenin në tokë dhe në lokal.
Por në momentin që kanë parë armët, dëshmitarët kanë pohuar se kanë ikur me vrap dhe kanë lajmëruar policinë.

Ata nuk kanë arritur të shpjegojnë para oficerëve të Policisë se kush mund të kishte qëlluar me armë nga personat që po ziheshin, pasi sipas tyre nuk kanë qenë prezentë në momentin që janë shkrepur. Megjithatë, kanë pohuar se të dyja palët kanë qenë të armatosura./albeu.com/

Shtuar më 19/03/2017, ora 10:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori