Babai i 2 fëmijëve rëndë, tentoi të digjte veten/ Fqinjët: Ja shkaku
Babai i dy fëmijëve që i vuri flakën vetes me benzinë në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike. Xhevit Tarushi, 69 vjeç, ndodhet në spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë, ndërsa mjekët konfirmuan se ai ka pësuar djegie të shkallës së lartë, raporton “Panorama”.

Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në oborrin e banesës së tij. Ai ka pritur deri sa e shoqja ka dalë të bëjë pazaret e ditës për të kryer aktin e vetëdjegies. Pasi ka marrë benzinën, të cilën familja e përdorte për ndezjen e sobës me dru dhe çakmakun, ai ka dalë në oborr duke u spërkatur dhe më pas i ka vënë flakën vetes.

Ka qenë një fqinj që e ka parë së largu ngjarjen dhe ka nxituar t’i japë ndihmën e parë për të shuar flakët dhe më pas ka lajmëruar një autoambulancë dhe policinë. Blutë mbërritën në vend dhe nisën hetimin për të zbuluar shkaqet e ngjarjes, ndërsa 69- vjeçari, baba i dy fëmijëve, është nisur me urgjencë drejt spitalit.

Paraprakisht, policia bëri të ditur se shkak i ngjarjes dyshohet të jetë bërë depresioni. Ata kanë marrë në pyetje bashkëshorten e tij.

Mësohet se ajo ka deklaruar se i shoqi nuk vuante nga asnjë sëmundje, por kohët e fundit kishin vënë re shenja ngarkese dhe depresioni te kryefamiljari. Policia nuk bëri të ditur detaje të tjera rreth dëshmisë së familjarëve të Xhevit Tarushit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, 69- vjeçari ka dy fëmijë të martuar dhe jetonte me bashkëshorten e tij në kushte shumë të mira ekonomike. Ndërkaq, fqinjët e kontaktuar dje, u shprehën se veë banesës trekatëshe, ku jeton familja Tarushi, ata prej disa kohësh kishin ngritur një tjetër objekt ku alternohen katet (3-4 kate).

Sipas tyre, destinacioni i këtij objekti është ende i paqartë për ta, pasi mund të shërbejë për banesë, por edhe biznes familjar, si hoteleri etj. Sa u përket shkaqeve që mund të kenë çuar babain e dy fëmijëve në këtë akt ekstrem, fqinjët hodhën dyshime se kjo mund të ketë lidhje me një proces gjyqësor të humbur.

Ata pohuan dje se Xhevit Tarushi ka qenë prej kohëshproces gjyqësor për pronësinë e një pjese të objektit të ngritur nga fëmijët e tij. Këta të fundit kanë qenë emigrantë dhe janë kthyer.

“Janë në gjendje shumë të mirë ekonomike. Siç e shihni po ndërtojnë gjithë këtë objekt, por prej kohësh kanë qenë në proces gjyqësor për pronësinë e një pjese të tij. Para ca muajsh e humbi gjyqin dhe mesa morëm vesh gjykata kishte vendosur të shembte një pjesë të objektit. Xheviti e përjetoi dhe kaloi në depresion”, u shprehën fqinjë të familjes Tarushi në Elbasan./Panorama
Shtuar më 01/02/2017, ora 08:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori