Azil në Gjermani? De Maziere: Kthim i përshpejtuar
Gjatë një konference me ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Thomas de Maziere, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh se është shënuar ulje e numrit të azilkërkuesve shqiptarë drejt Gjermanisë.

“Daljet nga kufiri kanë rënë me 0.6%, gjë që do të thotë se pjesa më e madhe e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani, janë shqiptarë që emigrojnë nga Greqia”, u shpreh Tahiri.

Ai deklaroi më tej se e falenderoi homologun gjerman për klasifikimin e Shqipërisë si vend i sigurte, ndërsa shtoi se dy vendet po bashkëpunojnë për të garantuar rrugë të ligjshme për të shkuar në Gjermani, përmes punësimeve të ligjshme. Tahiri tha se sfidat që presin përpara, janë më të mëdha se ato që janë arritur.

Ndërkaq, De Maziere tha se çështja e azilkërkuesve është një sfidë e madhe, duke nënvizuar se Shqipëria është një vend i sigurt dhe demokratik.

“Përgjatë këtij viti, prurjet kanë qenë mjaft të larta, edhe nga ato që vijnë me pasaporta dhe pastaj aplikojnë për azil. Numri ka rënë muajt e fundit, por situata është shqetësuese. Shpesh vijnë në Gjermani pasi mendojnë se si azilantë do t’u jepet punë dhe shtëpi.

Por kjo gjë nuk ndodh dhe do të përshpejtohen procedurat dhe brenda tre javësh të mund të kthehen”, tha ministri gjerman. /albeu.com/
Shtuar më 06/11/2015, ora 13:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori