Azem Hajdari “mbledh” demokratët në Tropojë, por kritikët shpërfillin Bashën
Ditën e djeshme në Tropojë u mblodhën rreth shtatores së Azem Hajdarit të gjithë demokratët, miq dhe “armiq”.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Bashkia e Tropojës ishin ftuar dhe morën pjesë edhe kritikët e Lulzim Bashës brenda PD, Besnik Mustafaj, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Arben Imami.

Por ajo që vlen të theksohet është se demokratët e “përjashtuar” nuk kanë pasur asnjë takim me kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Përmes një postimi në “Facebook”, Patozi ka përshkruar rikthimin e tij në Tropojë për Azem Hajdarin.

“Në Tropojë kisha qenë për herë të fundit në verën e 1997-s. Ishte fushatë dhe mbaj mend që isha në autokolonë vetëm një makinë pas Azem Hajdarit.

Ka qenë udhëtim i vështirë dhe plot tension, në sintoni me kohën e vështirë që kalonte Shqipëria.

Pak më shumë se 20 vjet më vonë, sot e pashë sërish Azemin në qendër të Bajram Currit, të derdhur në bronz.

Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë, rruga është e qetë dhe pa të papritura, por jeta nuk është asnjëherë e lehtë dhe paqja nuk vjen vetëm atëherë kur nuk ka luftë.

Nderimi i vërtetë për Azem Hajdarin shkon përtej asaj shtatoreje, e cila prej sot do të zbukurojë sheshin e vendlindjes së tij.

Ai është në fakt një ftesë për kurajë dhe guxim për çdo njeri të lirë, që bën betejë për vlerat që beson”, përfundon Patozi. /albeu.com/

Shtuar më 28/10/2017, ora 09:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori