Avokati mashtroi qytetarin dhe e kërcënon: Do të therr me thikë
Avokati Alfred Thomo për 8 vite nuk i hapi asnjë proces gjyqësor qytetarit, edhe pse mori 2.5 mln lekë për përpjestimin e pasurisë. Gjykata nuk ka ndërmarrë asnjë proces gjyqësor lidhur me këtë çështje, pasi kërkesë padia e paraqitur nga avokati Thano nuk ka qenë e saktë. Sot ai mashtron e kërcënon qytetarin se i kërkon lekët, pasi nuk bëri punën.

Fiks Fare solli rastin e qytetarit nga Korça, Barjam Trokës i cili denoncon avokatin e tij Alfred Thomo. Ky i fundit sipas Trokës e ka mashtruar se do t’i bëjë përpjesëtimin e pasurisë, por që prej 8 vitesh nuk ka bërë asgjë.

“Kam paguar 2 milionë e gjysmë lekë, kanë kaluar 8 vite dhe ai s’më ka bërë asgjë. I kam dhënë lekë për të mbledhur dokumente, por nuk është bërë asnjë seancë gjyqësore” thotë Barjami për Fiksin.

Sipas tij e ka telefonuar disa herë po as në telefon nuk i përgjigjet më. “E kam marrë në telefon, kam kërkuar ta takoj, por s’kam mundur, s’kam ku ta gjej” shprehet i shqetësuar Troka.

Fiksi solli bisedën midis qytetarit dhe avokatit. Ky i fundit në takimin e parë tha se do e merrte qytetarin në telefon pasdite dhe të takoheshin, por që kaloi më shumë se një muaj dhe nuk e bëri.

Në takimin e dytë të qytetarit dhe avokatit, të pasqyruar me zë dhe figurë nga emisioni “Fiks Fare”, avokati kërcënon qytetarin duke i thënë se “do të therr me thikë” , kjo vetëm se përse qytetari i kërkonte përgjigje se çfarë po bëhej me çështjen e tij.

Avokati i thotë qytetarit se nuk është faji i tij, që gjykata ka kthyer mbrapsht dokumentacion.” Ik mos më çaj b… dokumentet i ka kthyer gjykata, po do t’i kthej dokumentet, por lekët t’i harrosh” i thotë avokati qytetarit.

Gazetarët e Fiksit u interesuan edhe pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, ku në përgjigjen e saj zyrtare gjykata sqaron se paditë e ngritura me paditës Barjam Trokën dhe avokat Fredi Thomon kanë rezultuar me mungesë në dokumentacion dhe kërkesëpadia në vetvete ka pasur të meta./tch
Shtuar më 03/02/2020, ora 22:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori