Rusia shpalos planin për aneksimin e Ukrainës

Rusia njoftoi për planet e separatistëve në Ukrainë për të mbajtur referendume, që do t’i hapin rrugën aneksimit zyrtar të territoreve ukrainase.

Ky njoftim i bërë më 20 shtator vjen pas pothuajse shtatë muaj luftë midis Rusisë dhe Ukrainës.

Kush dëshiron të mbajë referendum?

Republikat e vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i njohu si shtete të pavarura pak ditë para nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, thanë se duan të mbajnë referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Referendumet, në këto dy rajone lindore ukrainase, sipas separatistëve do të organizohen nga 23 deri më 27 shtator.

Një bilbord në rajonin ukrainas të Zaporizhjës ku shkruan: “Ne jemi një popull. Jemi së bashku me Rusinë”.

Rajonet e Hersonit dhe Zaporizhjës, që ende nuk janë njohur si shtete të pavarura nga Rusia, thanë po ashtu se do të mbajnë referendume.

Rusia nuk ka kontrollin e plotë e asnjërit prej këtyre katër rajoneve dhe vetëm rreth 60 për qind e rajonit të Donjeckut është nën kontrollin rus.

Sa territor mund të humbë Ukraina?

Territori që Rusia ka nën kontroll është mbi 90.000 kilometra katrorë apo 15 për qind e gjithë territorit të Ukrainës. Kjo hapësirë është sa madhësia e Hungarisë ose Portugalisë.

Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Me Krimenë dhe territorin e katër rajoneve të tjera, Rusia do të përfitonte një territor sa përafërsisht sipërfaqja e shtetit amerikan të Pensilvanisë.

Cila është rëndësia?

Nëse Moska vazhdon përpara me planet për mbajtjen e referendumeve dhe arrin të bashkojë këto katër rajone me Rusinë, atëherë Ukraina – dhe potencialisht edhe mbështetësit e saj perëndimorë – nga perspektiva ruse, do të luftonin kundër vetë Rusisë.

Kjo do të rriste rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe aleancës së NATO-s. Ky është një skenar, i cili, siç ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden, mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore, sepse anëtarët e NATO-s po furnizojnë me armë dhe po i japin informacione të inteligjencës Ukrainës.

Por, një veprim i nxituar nga ana ruse për të aneksuar zyrtarisht një pjesë tjetër të madhe të territorit ukrainas do të ishte një përshkallëzim i madh. Njoftimi për planet për organizimin e referendumeve vjen disa ditë pas humbjes, potencialisht më të rëndësishme ruse, në fushëbetejë në Ukrainën lindore.

Kjo pasi një kundërofensivë e nisur nga forcat ukrainase ka larguar trupat ruse nga shumica e territorit të rajonit ukrainas të Harkivit.

Doktrina bërthamore e Rusisë lejon që shteti të përdorë armë bërthamore nëse sulmohet me armë të njëjta apo me armë të shkatërrimit në masë.

Po ashtu, përdorimi i armëve bërthamore, sipas doktrinës ruse, lejohet nëse shteti përballet me krizë ekzistenciale nga armët konvencionale.

Përderisa po e përshkallëzon situatën, Putin po ashtu mund të njoftojë për hapa shtesë. Aksionet ruse në bursa ranë në nivelin më të ulët brenda muajit të martën, pasi Moska rriti frikën se mund të ashpërsojë ndëshkimet për personelin ushtarak përmes një legjislacioni të ri.

Nëse Ukraina nuk pranon që të ndalojë së luftuari për rimarrjen e territoreve të humbur, atëherë Rusia do të duhet të angazhojë forca të konsiderueshme ushtarake për të mbrojtur rajonet e reja të aneksuara – të cilat ende nuk janë plotësisht nën kontrollin rus.

“Putin ka vënë bast në përshkallëzimin e situatës”, tha Tatiana Stanovaya, themeluese e kompanisë për analiza politike, R.Politik.

“Të gjitha këto njoftime për referendume të menjëhershme, absolutisht janë një ultimatum i qartë nga Rusia për Ukrainën dhe Perëndimin”, shtoi ajo.

Çfarë tha Ukraina?

Ukraina tha se kërcënimi me referendume “është një shantazh naiv” dhe sinjal se Rusia po frikësohet.

“Kështu duket frika nga humbja. Armiku ka frikë dhe po vepron në mënyrë primitive”, tha Andriy Yermak, shef i stafit i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ukraina tha se nuk do të pushojë derisa çdo ushtar rus të dëbohet nga territori i saj. Kievi tha se kurrë nuk do të pranojë kontrollin rus mbi territoret e tij dhe i bëri thirrje Perëndimit që ta furnizojë edhe më shumë dhe me armë më të mira me qëllim që të luftojë forcat ruse.

Çfarë ka ndodhur në Krime?

Konflikti në lindje të Ukrainës nisi më 2014, pasi presidenti pro-rus u rrëzua përmes Revolucionit të Maidanit në Ukrainë dhe Rusia aneksoi Krimenë.

Pasi forcat ruse më 27 shkurt të vitit 2014 morën kontrollin e Gadishullit të Krimesë – ku shumica e popullsisë janë me etni ruse dhe ky territori i ishte dhënë Ukrainës gjatë kohës sovjetike – në gadishull më 16 mars u mbajt një referendum për t’iu bashkuar Rusisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Liderët në Krime deklaruan se 97 për qind e votuesve zgjodhën që të ndahen nga Ukraina dhe t’i bashkohen Rusisë. Më 21 mars, Rusia zyrtarisht shtoi Krimenë si pjesë të saj.

Kievi dhe Perëndimi kanë thënë se referendumi i mbajtur në Krime ka shkelur Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar./REL/