Autori veshur me kapuç dhe me të zeza, detaje nga shpërthimi me tritol i lokalit në Lezhë
Kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin që vendosi lëndën plasëse në një lokal në vendin e quajtur “Rruga e Kallmetit”, në Lezhë.

Kamerat kanë fiksuar një person veshur me të zeza, me një bluzë të bardhë dhe kapuç në kokë, i cili ecën me shpejtësi në drejtim të lagjes “Skëndërbeg” dhe brenda pak sekondash ndodh dhe shpërthimi në lokal, i cili shkaktoi vetëm dëme materiale.

Kamerat e sigurisë janë sekuestruar dhe po analizohen nga grupi hetimor, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i personit që vendosi eksplozivin.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:45 minuta të mbrëmjes të 13 shkurtit, ndërsa nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Sipas Policisë, lënda plasëse e cila dyshohet të jetë e llojit tritol, u vendos në lokalin e marrë me qira nga shtetasi V. Sh., banues në fshatin Mërqi të Lezhës.

Në momentin e ngjarjes, biznesi ka qenë i mbyllur dhe nuk ka pasur persona brenda, ndërsa nga shpërthimi u thyen xhamat e disa objekteve të tjera aty pranë. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, pasi pronari i lokalit si dhe personi që e kishte marrë me qira kanë deklaruar në polici se nuk kanë konflikte.

Sipas policisë janë marrë në pyetje edhe disa të afërm të personit që ka në përdorim lokalin. Ata janë pyetur nëse kanë pasur ndonjë problem gjatë kohëve të fundit apo jo. Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin e personit që vendosi lëndën plasëse në ambientet e lokalit.
Shtuar më 18/02/2021, ora 09:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori