"Athina zyrtare, si Agimi i Artë. Pse Kamenos po i bën nder shqiptarëve"
Duke komentuar situatën e habitshme dhe qesharake lidhur me reagimin e Athinës zyrtare për dënimin e rekrutëve me origjinë shqiptare, pse bënë foto teksa pozonin me shenjën e shqiponjës, analisti Artur Zheji, shkruan sot se Athina zyrtare nuk ka asgjë më pak se Agimi i Artë.

Në një analzië publikuar në "360gradë.al", Zheji shkruan se "Absurdi ndjek absurdin!

Thuhet dhe shkruhet se doni të fusni në burg çunat rekrutë shqiptarë, pjesë e ushtrisë greke, vetëm për një fotografi?! Në një Qeveri të vetëshpallur të Majtë sa më ska!

Porse kjo, nuk do të ishte as më shumë dhe as më pak, veçse një qëndrim politik nga ato që ne kemi përjetuar me shumicë në kohën e Diktaturës komuniste në Shqipëri "qirio" Kamenos.

Mund të të postoj dhjetëra raste djemsh dhe vajzash të reja që në kohën më të errët të jetës sime, të jetës nën Diktaturë, djem dhe vajza, si ata të fotos me pëllëmbët e kryqëzuara si krahët e shqiponjës, janë dënuar rëndë burgjeve për disa vargje poetike, apo për fjalë të hedhura pa kujdes për Botën e Lirë Perëndimore!".

Sipas tij, dukshëm në Greqi dhe më besoni më vjen shumë keq për këtë, duket se ka një diktaturë de facto antishqiptare të përhershme!

"Madje këtë ma ka pohuar në 'konfidencë' një nga liderët e Agimit të Artë që kam intervistuar disa vite më parë, Kristos Papas dhe që gjykuar nga fjalët dhe veprimet që po bëheni gati të ndërmerrni ndaj çunave të fotos, zoti ministër Kamenos, e mbani kot në burg.

Sepse ky qëndrim i marrëzishëm për kah nacionalizmi i bërtitur, është i ngjashëm si dy pika uji, me fjalët e egra të Kristo Papasit, kur e intervistoja.

Ai më tha nën zë dhe privatisht, 4 vjet më parë se: 'Të gjithë politikanët grekë më të rëndësishëm e mendojnë si unë dhe si ne të 'Agimit të Artë', marrëdhënien me Shqipërinë dhe kanë një mendim e një qëndrim njësoj si ne për shqiptarët, vetëm se ata janë hipokritë dhe e fshehin, kurse ne jemi të sinqertë dhe e bërtasim!", shkruan ai.

Zheji argumenton më tej se reagimi i fundit i Kamenos ka hyrë vërtet në një garë të hapur dhe të suksesshme me pinjollët më të shquar të "Agimit të Artë".

"Ne këtej nga Shqipëria do të hidheshim në zjarr, nëse ndokush do të guxonte ta mendonte një persekutim të tillë, për vëllezërit tanë minoritarë grekë, maqedonas apo malazezë.

Sepse Diktaturat zënë gjithmonë fill me persekutimin e pakicave, e më pas të të gjithëve të tjerëve pa përjashtim. Megjithatë faleminderit byrazer Kamenos, sepse u kujton shqiptarëve se sa i ëmbël është në të vërtetë Atdheu i tyre, pamvarsisht 999 halleve që kemi dhe që s’po i ndreqim dot.

Vërtet 'efkaristo polì' zoti Ministër! Sepse kështu i bëni shqiptarët të ndjehen më shumë Shqiptarë! Kudo që ata ndodhen! Dhe ndoshta është më mirë kështu!", shkruan Zheji.
Shtuar më 26/01/2017, ora 11:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori