Atentati në Tiranë, si u zhvilluar lufta mes bandave ku ishin pjesë Franc Konomi dhe Domart Konjari
Në fillim të viteve ‘90 në Tiranë u shfaqën “të fortët” e parë, që në fakt nuk kishin asnjë lidhje me grupet e krimit të organizuar që filluan të vepronin në vitet në vazhdim.

Por organizimi i tyre nuk zgjati shumë dhe filluan të ndaheshin në zona, më pas të vrisnin njëri-tjetrin.

Në zonën e “Trenit të vjetër” dhe të “Restorant Durrësit” drejtonte Naim Zyberi dhe miqtë e tij, Franc Konomi e Fatos Keta, shkruan Albeu.com.

Ata kishin në zotërim tërë lagjen e tyre dhe bënin një grupim shumë të madh në kryeqytet. Duke ndjekur unazën vinte lagjja e Gazmend Muçës, në “Rrugën Bardhyl”.

Në këtë zonë Gaz Muça ishte njeriu më i njohur dhe bënte ligjin sipas mënyrës së tij. Duke qenë se ai dhe Naim Zyberi ishin “të fortë” lagjesh, kishin njohje me njëri-tjetrin por edhe konflikte. Konflikti i fundit ndërmjet tyre ka lindur në prill të vitit 1992.

Franc Konomi, miku i ngushtë i Konjarit, do të mbahej më tepër si një nga ata që morën pjesë në atentatit që iu bë më 7 prill 1992 te “Xhamlliku” Gaz Muçës, edhe pse në atë ngjarje u tha se morën pjesë 4 vetë, edhe vetë Naim Zyberi.

Por edhe ndaj tij u morë hak, më 6 gusht 1997, pasi u vra në një spital në Milano të Italisë. Pak ditë para vrasjes, ndaj tij ishte bërë një atentat në të cilin mbeti i plagosur.

Zyberi në atë kohë u cilësua si autori i vrasjes së Gaz Muçës dhe Artur Grorit. Ndërsa në dhjetor 1997, ekzekutohet Fatos Keta, i cili cilësohej si një nga miqtë më të ngushtë dhe të besuar të Naim Zyberit.

Më 31 korrik 1998 vritet edhe vëllai i Gaz Muçës, Taulanti. Por vrasja e Fatjon Naxhakut më 3 gusht 2005 në afërsi të “Shkollës së Kuqe”, duket se është dhe pika e ndezjes fort të gjakrave mes Franc Konomit dhe kundërshtarëve të tij.

Naxhaku, që kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit, por nga përballja me të mbetet vetë i vrarë.

E i fundit që u ekzekutua nga të dy grupet ishte Franc Konomi. Më 8 korrik 2010, 10 plumba u lëshuan drejt makinës ku ndodhej ai, pranë “Ushtarit të panjohur”, duke e lënë të vdekur në vend. /albeu.com/
Shtuar më 30/01/2018, ora 09:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori