Atentati në Shkodër, fisi Bajri: S’kemi gisht, ja ku ishim atë natë
Dy ditë pas plagosjes së të fortit të Shkodrës Ilmir Hajdari, që njihet ndryshe edhe si “Mir vetulla” policia e Shkodrës po heton intensivisht dhe ka shkuar në banesat e pjesëtarëve të fisit Bajri lagjen “Dobraç”.

Kjo për faktin se Hajdari ka qenë i akuzuar për ekzekutimin e Indrit Bajrit në vitin 2001.

4 anëtarët e këtij fisi kanë deklaruar në polici se nuk janë ata autorët e ngjarjes ku mbeti i plagosur rëndë Ilmir Hajdari.
“Ne ishim në një festë në Velipojë dhe nuk kishim asnjë dijeni se çfarë kishte ndodhur në lagjen ‘Perash’.

Kur na njoftuan se po na kërkonte policia në shtëpi, u kthyem menjëherë. Ne jemi sqaruar vite më parë me Ilmir Hajdarin dhe kemi mbyllur konfliktin me të”, thanë 4 pjesëtarët e fisit Bajri.

VRASJA NË VITIN 2001

Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari është akuzuar për vrasjen e Indrit Bajrit në bashkëpunim me Xhabir Shegën dhe Kujtim Barbullushin.

Hajdari është arrestuar një vit pas vrasjes së Bajrit, por është liruar duke përfituar nga një amnisti e presidentit të atëhershëm, Alfred Moisiu.

Ai është larguar drejt Italisë, por është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dosja është rihapur. Në vitin 2009, pasi është ekstraduar nga Italia, gjykatat shqiptare fillimisht e kanë dënuar me 16 vite burg.

Pas 3-4 vitesh është liruar për shkak të mungesës së provave. Në sallën e gjyqit, Ilmir Hajdari ka deklaruar se nuk është ai autori i vrasjes të Indrit Bajrit.

Pas daljes nga burgu, sipas burimeve, Ilmir Hajdari ka mbyllur konfliktin me fisin Bajri. /GSH/

Shtuar më 30/06/2017, ora 13:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori